Në vijim të fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë në ditën e 92-të të protestës, aktivisti Gent Progni ka denoncuar modelin ekonomik dhe turistik të qeverisë, duke e cilësuar atë si një skemë që përqendron pasurinë dhe pushtetin në dorën e një grushti oligarkësh.

Gjatë fjalës së tij, Progni vuri në pikëpyetje përfitimin e qytetarëve të thjeshtë dhe bizneseve të vogla nga projektet luksoze të promovuara nga kryeministri Rama.

“Sot na thonë se Shqipëria po bëhet fuqi turistike. Rama promovon projekte luksoze që na paraqiten si e ardhmja, por pyetja është: ku është shqiptari në këtë model? Turisti zbret në aeroport, e merr resorti, ha, pi dhe argëtohet aty dhe paratë qarkullojnë brenda të njëjtit sistem. Po artizani, po restoranti familjar? Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, por demokracie,” deklaroi ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Progni u shpreh se zgjidhja qëndron te zhvillimi i gjithëpërfshirës ekonomik:

“Ne nuk duam një Shqipëri ku të kemi resorte me 5 yje dhe demokraci me 1 yll! Duam turizëm që pasuron mijëra familje, ku fuqizohet biznesi i vogël dhe shpërndahen mundësitë. Sa më e fortë të jetë shtresa e mesme, aq më e vështirë bëhet të blihet një shoqëri,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb