Një person ka humbur jetën dhe rreth 15 të tjerë rezultojnë të zhdukur ose të paidentifikuar pas një përmbytjeje të fuqishme të menjëhershme që goditi Grand Canyon në shtetin Arizonas të SHBA-ve.
Përmbytja ndodhi pasditen e së shtunës në zonën e Bright Angel Canyon dhe Phantom Ranch, duke detyruar autoritetet të evakuonin të paktën 62 persona. Ujërat e rrëmbyeshëm morën me vete gurë të mëdhenj, struktura metalike dhe mbetje të tjera, të cilat përfunduan në lumin Colorado.
Shërbimi i Parkut Kombëtar të SHBA-ve njoftoi se trupi i një burri 46-vjeçar u gjet të dielën në mbrëmje pranë Crystal Rapids, përgjatë lumit Colorado. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura detaje të tjera mbi viktimën apo rrethanat e sakta të vdekjes.
Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë përpjekjet për të identifikuar dhe lokalizuar rreth 15 persona që konsiderohen të zhdukur ose për të cilët nuk ka ende informacion të plotë pas përmbytjes.
Përmbytja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e parkut. Ujërat kanë shkatërruar tubacionin kryesor që furnizon me ujë banorët dhe turistët e zonës. Si pasojë, autoritetet kanë marrë masa të jashtëzakonshme dhe kanë njoftuar se nga e hëna turistët nuk do të mund të qëndrojnë gjatë natës në hotelet dhe strukturat e akomodimit brenda Parkut Kombëtar Grand Canyon.
Përmbytjet në Bright Angel Creek, një përrua që derdhet në lumin Colorado, kanë marrë me vete edhe ura këmbësorësh dhe kanë ndryshuar ndjeshëm terrenin. Shtrati i përroit është zgjeruar dhe në zonë është krijuar një rrjedhë e re e fuqishme, duke formuar atë që duket si një prag i ri në lumë.
Disa prej pikave më të njohura turistike, përfshirë Bright Angel Campground, Phantom Ranch dhe pjesë të shtegut North Kaibab, mbetën të mbyllura të dielën ndërsa ekipet e parkut vlerësonin dëmet. Përkohësisht janë pezulluar edhe udhëtimet me gomone në lumin Colorado.
Një prej dëshmitarëve, Parth Desai, i cili po ecte në një zonë të ngushtë të Bright Angel Canyon së bashku me një grup mjekësh dhe një roje parku, përshkroi momentet e përmbytjes si jashtëzakonisht të frikshme. Sipas tij, brenda pak çastesh u shfaqën ujëra të rrëmbyeshëm dhe ujëvara, ndërsa gurë të mëdhenj, baltë dhe rrëshqitje dheu lëviznin në të gjithë zonën.
Ekspertët shpjegojnë se Grand Canyon është një zonë me terren shumë të pjerrët dhe shkëmbor, ku reshjet intensive mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe ndryshime të mëdha të terrenit.
Meteorologu Darren McCollum, nga Shërbimi Kombëtar i Motit në Flagstaff, tha se në zonë ranë rreth 1 deri në 2.5 centimetra shi brenda vetëm 20 minutash. Reshjet intensive u shfaqën pasi dy sisteme më të vogla atmosferike kishin lagur tokën disa orë më herët.
Sipas meteorologut, kur stuhia kryesore goditi zonën, shiu i rrëmbyeshëm ra mbi terrenin tashmë të ngopur me ujë, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha.
Shërbimi i Parkut Kombëtar po bashkëpunon me Departamentin e Sigurisë Publike të Arizonës për operacionet e kërkim-shpëtimit dhe evakuimet. Autoritetet kanë paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet, pasi parashikimet meteorologjike flasin për reshje të tjera dhe stuhi gjatë ditës së hënë.
Për momentin, prioriteti i ekipeve është gjetja e personave që rezultojnë të zhdukur, vlerësimi i dëmeve dhe garantimi i sigurisë së turistëve dhe banorëve, në një prej destinacioneve më të vizituara natyrore në Shtetet e Bashkuara.
