Pas triumfit në garën Sprint, Mark Markez ka marrë edhe “pjatën kryesore”, duke fituar Çmimin e Madh të Aragonit në MotoGP. Pas pilotit të Dukatit u renditën Pedro Akosta me KTM-në zyrtare dhe Marko Beceki i Aprilias, i cili ishte nisur nga “pole position”.
Falë suksesit në garën e trembëdhjetë të sezonit, fitorja e katërt për të këtë vit, të gjitha në gjashtë garat e fundit, Markez bën një tjetër hap të rëndësishëm në klasifikimin e përgjithshëm. Spanjolli i Dukatit i rrëmben vendin e dytë pikërisht Becekit, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh ndaj italianit, ndërsa e shton edhe më shumë presionin në ndjekje të Horge Martinit. Piloti i Aprilias e mbylli garën në vendin e pestë, pas Aleks Markezit, që u rendit i katërti me Dukatin e Gresinit.
Tashmë vetëm 19 pikë, 256 kundrejt 237, e ndajnë fituesin e Aragonit nga Horge Martin. Ndërkohë, Beceki mbetet plotësisht në garë për titullin, me 232 pikë. Momenti vendimtar i garës së djeshme erdhi në xhiron e gjashtë nga 23 gjithsej. “Kanibali” sulmoi Becekin dhe e parakaloi në fund të një dueli spektakolar, në një sprint të shkurtër drejt frenimit në fund të drejtëzës më të gjatë të “MotorLand”-it. Dukati dhe Aprilia u përballën për disa çaste, të ndara vetëm me pak centimetra. Nga beteja përfitoi pjesërisht edhe Akosta, i cili arriti të parakalojë Becekin dhe më pas iu vu në ndjekje Markezit.
Megjithatë, kampioni në fuqi i botës, i cili regjistroi edhe xhiron më të shpejtë të garës, nisi të shkëputej gradualisht dhe në mënyrë të parezistueshme drejt fitores. Pas pesëshes së parë, vendin e gjashtë e zuri Fermin Aldeguer, i ndjekur nga Fabio Di Xhanantonio, Enea Bastianini, Diogo Moreira dhe Brad Binder. Jashtë garës pas një rrëzimi, pak pas çerekut të parë të saj, mbeti Françesko Bagnaia me Dukatin tjetër të ekipit Lenovo. Për tri pilotin nga Piemonte, tri herë kampion bote, ky ishte një tjetër përfundim zhgënjyes i një fundjave që nuk shkoi sipas pritshmërive. Ndalesa e radhës e Botërorit 2026 do të jetë në fundjavën mes datave 11-13 shtator në San Marino.
RADHA E MBËRRITJES
Aragon 2026
PILOTI KOHA
1 Mark Markez 0:41:10.969
2 Pedro Akosta +1.754
3 Marko Beceki +3.629
4 Aleks Markez +8.687
5 Horge Martin +12.572
6 Fermin Aldeguer +17.687
7 Fabio Di Xhanantonio +23.136
8 Enea Bastianini +25.741
9 Diogo Moreira +25.899
10 Bred Binder +26.441
11 Xhek Miller +27.206
12 Xhoan Mir +27.999
13 Aleks Rins +28.276
14 Luka Marini +29.794
15 Johan Zarko +30.003
16 Pol Espargaro +35.874
17 Lorenzo Savadori +49.761
18 Fabio Kuartararo +51.657
TË TËRHEQUR
Toprak Razgatlioglu
Raul Fernandez
Françesko Banjaja
Franko Morbideli
BOTËRORI 2026/ RENDITJA
PILOTI PIKËT
1 Horge Martin 256
2 Mark Markez 237
3 Marko Beceki 232
4 Fabio Di Xhanantonio 208
5 Ai Ogura 203
6 Pedro Akosta 189
7 Raul Fernandez 186
8 Françesko Banjaja 143
9 Aleks Markez 128
10 Fermin Aldeguer 90
11 Luka Marini 88
12 Enea Bastjanini 84
13 Bred Binder 78
14 Diogo Moreira 64
15 Fabio Kuartararo 55
16 Franko Morbideli 53
17 Johoan Zarko 36
18 Joan Mir 33
19 Xhek Miler 28
20 Aleks Rins 24
21 Toprak Razgatlioglu 14
22 Maverik Vinjales 10
23 Iker Lekuona 9
24 Andre Fernandez 6
25 Pol Espargaro 3
