Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur përpara ministrave të PS-së dhe anëtarët e grupit parlamentar u justifikua për platformën e Bashkëqeverisjes.
Rama deklaroi se Platforma e Bashkëqeverisjes nuk ka dështuar, por se thjesht në kohën që doli si platformë, nuk përfshiheshin në të, shërbime me AI. Ai theksoi se Platforma e Bashkëqeverisjes tashmë do jetë pjesë e “Pasqyrës”.
“Ka shumë që thonë se kemi dështuar me Platformën e Bashkëqeverisjes. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Tashmë Platforma e Bashkëqeverisjes do të jetë pjesë e Pasqyrë Albania. Kjo ndodh sepse më herët nuk kishim në përdorim Inteligjencën Artificiale, ndërsa tashmë mund ta përdorim AI-në në shërbimet qeveritare”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se Pasqyrë Albania do të jetë në shërbimin e qytetarëve.
Ai shtoi se tek qytetarët ka pasur një konfuzion më herët, por se tashmë “Pasqyra” do të zgjidhë të gjitha problemet, duke gjurmuar ato në kohë reale.
“Kjo i jep qytetarit një nga gjërat më të rëndësishme nga një xhungël në një kapacitet të plotë mbikëqyrësi përmes Pasqyrës, ku mund të informohet nga gjitha burimet. Te Pasqyra qytetari mund të gjejë gjithçka ai dëshiron, shifrën, provën, proces-verbalin, arsyet e vonesës për kërkesë e tij.
Pasqyrë Albania është hapësira e qytetarit. Qytetari duhet të bëjë shumë përpjekje për të ditur se cila zyrë mban çelësin të një çështje që lidhet me të. Shteti ka detyrimin të ketë një adresë publike për statusin, për dokumentin, për provën e çdo halli të vogël apo të madh”, theksoi ai.
