Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka denoncuar atë që e cilëson si një valë sulmesh në rrjetet sociale ndaj figurave të opozitës dhe personave që kanë mbështetur protestat. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku pretendon se gjatë ditëve të fundit janë mbyllur më shumë se 200 llogari në Instagram që publikonin materiale dhe përmbajtje të lidhura me protestat. Sipas deputetes, mes llogarive të mbyllura janë edhe faqja zyrtare e deputetit Agron Shehaj, ajo e aktivistit Gent Progni, si dhe disa faqe të tjera të njohura për publikimin dhe mbështetjen e protestës.
Koçeku e ka lidhur këtë situatë me debatin për lirinë e shprehjes dhe sigurinë në internet, duke akuzuar qeverinë shqiptare për standarde të dyfishta. Ajo pretendon se ndërsa përfaqësuesit e qeverisë mbështesin në forumet ndërkombëtare mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shprehjes online, në Shqipëri, sipas saj, po ndodh e kundërta. Deputetja bëri të ditur gjithashtu se për këtë çështje ka raportuar pranë institucioneve të Bashkimit Europian.
Reagimi i Marjana Koçekut
Nji valë sulmesh online ka nisë veçanërisht që ditën e djeshme kundër disa figurave opozitare me ndikim politik dhe publik. Mbi 200 faqe Instagrami me përmbajtje nga protestat janë mbyllë, përfshi këtu faqen zyrtare të deputetit Agron Shehaj, aktivistit Gent Progni dhe faqeve të njoftuna në Instagram që e kanë mbështetë vazhdimisht protestën.
Këto ditë në Forumin e Bled-it, siguria online dhe sulmet kibernetike ndaj lirisë së shprehjes ishin kryefjala e diskutimit të Komisionerëve Europianë. Qeveria jonë në Forume Ndërkombëtare e mbron këtë të drejtë me fanatizëm, por tenton me çdo kusht e çdo mjet ta shembë në shtëpinë e vet. Për këtë edhe kam raportu tashmë në institucionet e Bashkimit Europian.
