Më shumë se 80 emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën pasi një varkë me dhjetëra persona në bord ka qëndruar në det të hapur për 27 ditë, përpara se të lokalizohej pranë Ishujve Kanarie.

Ekipet spanjolle të Salvamento Marítimos gjetën varkën të mërkurën, rreth 65 milje detare në jugperëndim të Arguineguín, në Gran Canaria. Në bord ndodheshin 44 persona të mbijetuar dhe pesë trupa të pajetë.

Sipas aktivistes për të drejtat e emigrantëve Helena Maleno Garzón, themeluese e organizatës spanjolle Caminando Fronteras, 83 persona mund të kenë humbur jetën gjatë udhëtimit. Ndërkohë, autoritetet spanjolle nuk kanë mundur të konfirmojnë numrin e saktë të njerëzve që ndodheshin fillimisht në varkë.

Sipas informacioneve paraprake, varka ishte nisur nga Gambia, në Afrikën Perëndimore, në fillim të muajit gusht. Ajo besohet se kishte rreth 127 persona në bord, përfshirë edhe një foshnjë.

Kushtet e vështira të motit penguan ekipet e shpëtimit të merrnin me vete trupat e gjetur. Salvamento Marítimo bëri të ditur se në zonë kishte erëra me shpejtësi të lartë dhe dallgë deri në 2.5 metra, duke e bërë të pamundur nxjerrjen e pesë viktimave nga varka.

Të 44 të mbijetuarit janë burra nga Afrika subsahariane. Tre prej tyre, të cilët ndodheshin në gjendje kritike shëndetësore, u transportuan me helikopter në spital. Të mbijetuarit e tjerë u dërguan me anije drejt Gran Canarias, ku mbërritën gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rrezikun ekstrem të rrugës së Atlantikut, një prej rrugëve më vdekjeprurëse të migracionit në botë. Çdo vit, mijëra njerëz nisen nga vendet e Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, duke shpresuar të arrijnë në territorin spanjoll.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: