Detaje të reja dhe pamje nga kamerat e sigurisë janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mesditën e sotme, më 3 shtator, në zonën e Orikumit, ku pronari i një resorti në bregdet denoncoi se u kërcënua nga persona të armatosur. Pamjet filmike të sekuestruara nga Policia e Shtetit tregojnë momentin e tensionuar kur të paktën 8 automjete mbërrijnë me shpejtësi dhe rrethojnë hapësirën përpara hyrjes së biznesit.
Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë rreth orës 10:30 të mëngjesit, dallohen makinat që bllokojnë rrugën kryesore dhe parkimin e kompleksit, ndërsa prej tyre zbarkojnë disa persona të veshur me të zeza të cilët më pas i drejtohen me shpejtësi hyrjes së resortit për të kanosur pronarin.
Menjëherë pas alarmit të dhënë nga i dëmtuari, forcat e policisë kanë ndërhyrë me urgjencë duke bllokuar nyjet kryesore dhe duke ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore të Vlorës. Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë repotuar një nga automjetet e dyshuara që po lëvizte me shpejtësi marramendëse për t’i shpëtuar arrestimit dhe janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.
Gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke u aksidentuar rëndë. Brenda automjetit të përmbysur, efektivët e policisë kanë gjetur tre persona si dhe një armë zjarri të llojit pistoletë. Si pasojë e përplasjes, dy prej të dyshuarve kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore nën ruajtje policore, ndërsa personi i tretë nuk ka pësuar dëmtime.
Nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në terren për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes, si dhe identifikimin e shoqërimin e të gjithë personave të tjerë që morën pjesë në rrethimin e resortit.
