Gazetari Osman Stafa ka folur gjatë protestës së 96-të kundër qeverisë së Edi Ramës, duke u ndalur te problematikat në sistemin shëndetësor dhe situata me të cilën përballen pacientët.
Stafa kritikoi kushtet në spitalin Onkologjik, duke pretenduar se pacientët përballen me mungesa ilaçesh dhe aparaturash. Ai u ndal veçanërisht te pacientët që vuajnë nga kanceri, duke deklaruar se mungesa e shërbimeve diagnostikuese rëndon mbi ta.
Gazetari tha se do të vijojë të ngrejë zërin për problemet në shëndetësi, duke theksuar se bëhet fjalë për jetën e qytetarëve.
Në vijim, Stafa kritikoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama për platformën “Pasqyra”, duke ngritur pikëpyetje mbi premtimet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Qytetarët duhet të përballen në spitalin Onkologjik me mungesa ilaçesh e aparaturash. Dha dorëheqjen ministrja e Shëndetësisë Evis Sala dhe tha se kam bërë arritje në shëndetësi, por turp t’i vijë sepse asgjë nuk bëri. Pacientë që vuajnë nga kanceri nuk kanë pet scan. Nuk do lodhem duke i thënë sepse është jeta e njeriut në mes. Është misioni që un kam marrë. Sepse me jetën e njeriut nuk bëhet pazar. Kupa është mbushur dhe nuk mban më…Po arrestojnë djem e vajza sepse kërkojnë një Shqipëri pa korrupsion. Këta u vënë pranga…Këta nuk munden dot t’i vendosin pranga shpresës. Shpresa është zgjuar tek shqiptarët, dhe shqiptarët duhet t’i dalin zot vetës. Doli kryeministri sot dhe thotë “Pasqyra” do jetë platformë që do zgjidhë hallet e shqiptarëve. Si mundet një kryeministër 4 mandatet dhe thotë do të zgjidhë hallet e shqiptarëve. Shqipëria është vjedhur dhe këta nuk janë ngopur. Ky vend meriton më shumë. Ky shesh është basti i fundit për Shqipërinë, o ky vend bëhet, ose korrupsioni do e mbulojë. Rinia e ka në dorë, ju e keni në dorë. Duhet të reagoni”, shtoi ai.
