Irani vijon të eksportojë naftë të papërpunuar pavarësisht bllokadës së vendosur nga forcat amerikane ndaj porteve dhe anijeve iraniane. Deklarata është bërë nga ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, i cili pranoi se situata është e vështirë, por tha se Teherani ka gjetur mënyra për të vijuar eksportet.

Në një intervistë për agjencinë iraniane të lajmeve ISNA, Paknejad tha se autoritetet iraniane po ndjekin strategji të ndryshme për të kapërcyer bllokadën amerikane.

“Ne po ndjekim strategji të ndryshme dhe kemi ndërmarrë hapa për të kapërcyer bllokadën”, deklaroi ministri iranian.

Paknejad u ndal veçanërisht te ishulli Kharg, një prej pikave kryesore të eksportit të naftës së Iranit. Sipas tij, forcat amerikane e kanë goditur ishullin më shumë se 550 herë gjatë 40 ditëve të para të luftës.

Përpara nisjes së konfliktit, rreth 90% e eksporteve iraniane të naftës bruto kalonin përmes Khargut, duke e bërë ishullin një infrastrukturë strategjike për ekonominë iraniane.

Megjithatë, ministri pretendoi se sulmet amerikane nuk arritën të ndalonin ngarkimin e cisternave. Sipas tij, operacionet vijuan edhe gjatë bombardimeve.

“Edhe nën bombardime, kolegët tanë po ngarkonin cisterna. Eksportet e naftës bruto të vendit nuk u ndërprenë as për një orë”, tha Paknejad.

Deklaratat e ministrit iranian vijnë në një kohë kur kontrolli mbi eksportet e naftës dhe rrugët detare të transportit është kthyer në një prej pikave më të rëndësishme të përplasjes mes Teheranit dhe Uashingtonit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb