Publicisti Kim Mehmeti ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, duke deklaruar se ai ndihet më i afërt me Beogradin se sa me Prishtinën. Sipas Mehmetit, mungesa e një strategjie të përbashkët shqiptare e ka katandisur kombin në një popull pa synime të përbashkëta, ku si Tirana ashtu edhe Prishtina vuajnë nga kufij të thellë mendorë dhe nga iluzioni se janë të vetëmjaftueshme.
Gjatë analizës së tij, Mehmeti ngriti shqetësimin për braktisjen dhe përçarjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku Tirana mbështet BDI-në ndërsa Vetëvendosja mbështet koalicionin VLEN. Ai denoncoi gjithashtu lojërat e prapaskenës që zhvillohen nga Tirana zyrtare, e cila i dikton PDK-së në Kosovë se si duhet të veprojë në skenën politike, duke thelluar përçarjen ndërshqiptare.
Më tej, publicisti e cilësoi si absurditet të plotë qëndrimin e Tiranës që pretendon se angazhohet për pavarësinë e Kosovës, por nga ana tjetër bëhet pjesë e projekteve serbe si “Ballkani i Hapur”. Mehmeti përfundoi me një paralajmërim të hidhur për faktorin shqiptar, duke theksuar se lojërat destruktive brenda nesh janë aq të rënda, saqë të huajt nuk kanë më pse të shpenzojnë apo financojnë kundër nesh, pasi ne po punojmë vetë në dëm të vetvetes.
