Java e katërt e Abissnet Superiore dhuron derbin e parë të kryeqytetit, pasi Partizani do të përballet me Dinamon. “Demat” janë pritës në këtë ndeshje dhe kjo kthen në vëmendje përsëri problemin e tyre të madh në këtë start të sezonit.

Meqë “Arena e Demave” është ende shumë larg nga përfundimi i rikonstruksionit të terrenit, të kuqtë luajnë jashtë stadiumit të tyre ndeshjet si pritës. Ata luajtën javën e parë ndaj Teutës në Vorë, ndërsa në javën e dytë përballë Laçit ishin në Rrogozhinë.

Sipas planit të FSHF-së, ndeshja e javës së katërt përballë Dinamos do të luhet përsëri në Vorë, në orën 16:00, e cila është mjaft e papërshtatshme për shkak të temperaturave të larta dhe faktit se terreni në atë stadium është me bar sintetik.

Mbetet të shihet nëse Partizani do të kërkojë përsëri të ndryshojë stadium, apo nëse do të vendosë të luajë ndeshjen ndaj rivalëve të kryeqytetit në impiantin ku ishte planifikuar ndeshja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb