I ftuar në emisionin “Minuta e parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, deputeti socialist Erion Braçe ka folur mbi ato që quajti si abuzime shumëvjeçare me pasuritë kombëtare dhe shfrytëzimin e banorëve.

Braçe pranoi hapur dështimin institucional në Patos-Marinzë dhe abuzimet e vazhdueshme të kompanisë “Bankers Petroleum” mbi buxhetin e shtetit dhe qytetarët. Deputeti konfirmoi se shteti shqiptar nuk ka vjelë asnjë qindarkë tatim mbi fitimin prej dy dekadash për shkak të manipulimit të shpenzimeve të zbritshme, ndërsa dënoi uljen e paligjshme të qirave të tokës për banorët rreth puseve.

“Ne nuk kemi marrë tatim mbi fitimin për 20 vite rresht. Të ulet masa e shpenzimit të kryer për qiranë e tokës rreth puseve ku vepron Bankers është një abuzim shumë i madh dhe qeveria duhet të ndërhyjë që t’u garantojë atyre njerëzve marrjen e qirasë. Unë mendoj se nuk kemi zënë mend akoma në këtë drejtim,” deklaroi Braçe.

Ndër të tjera, Braçe ndaloi edhe te vendburimi i gazit natyror në Delvinë, duke pranuar se kjo pasuri kombëtare është shfrytëzuar jashtë çdo standardi. “Nëse ka një burim që është abuzuar skandalisht është ky,” u shpreh ai, duke nënvizuar se ky sektor strategjik duhet të kthehet në prioritet absolut për ekonominë shqiptare, larg monopoleve dhe abuzimeve private.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb