Edhe pse është 95 vjeç, Berni Ekleston vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Ish-drejtuesi i Formula 1 raportohet se është arrestuar në Portugali për mbajtje të paligjshme të një arme zjarri. Sipas raportimeve, Ekleston është ndaluar në aeroportin e Tires, pranë Lisbonës, pasi kishte zbritur nga avioni i tij privat. Policia e aeroportit ka kryer arrestimin gjatë një “kontrolli rutinë”.

Të dhënat e radarëve të fluturimeve kanë konfirmuar uljen e një avioni privat në Cascais në orën 10:55 të së hënës, i ardhur nga Saanen, në Zvicër, një zonë ku biznesmeni zotëron një vilë.

I PËRSËRITUR

Deri tani, Divizioni i Aeroporteve i Policisë së Sigurisë Publike të Portugalisë (PSP) nuk ka bërë një deklaratë zyrtare lidhur me lajmet e publikuara nga mediat lokale. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Ekleston përballet me një situatë të tillë. Në maj të vitit 2022, ai ishte arrestuar në Brazil për një arsye të ngjashme.

Asokohe, policia e kishte ndaluar për mbajtje të paligjshme të një arme zjarri, teksa po përgatitej të hipte në një avion privat. Edhe pse pranoi se arma ishte në pronësi të tij, Ekleston deklaroi se nuk e dinte që ajo ndodhej në bagazhin e tij. Ai u lirua pasi pagoi garancinë dhe mori leje për t’u udhëtuar drejt Zvicrës.

Megjithatë, Ekleston mohoi se ishte arrestuar zyrtarisht për atë që e cilësoi si një “incident të pamenduar dhe të parëndësishëm”. Sipas tij, ai ishte thjesht “marrë në pyetje”, pasi arma nuk ishte e regjistruar. Në atë kohë, megjithatë, Zyra e Sigurisë Publike e shtetit të Sao Paulos kishte publikuar një deklaratë ku konfirmonte arrestimin e një biznesmeni, pa i bërë publik emrin, në aeroportin e Campinas, për posedimin e një pistolete “LW Seecamp” të kalibrit .32, pa dokumentacionin përkatës.

Për lirimin e tij, Ekleston kishte paguar 6000 realë brazilianë, rreth 1150 euro, ndërsa arma ishte konfiskuar. Më vonë, Berni shpjegoi se e kishte blerë pistoletën disa vite më parë në Brazil, nga një mekanik i Formula 1 ose nga një gomist. Ai tha se arma ishte blerë pa municione dhe vetëm si mjet parandalues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb