Nga Redi Ametllari
Në pamje të parë, gjithçka mund të duket normale: një biznes që kryen pagesa, një individ që blen një tokë, një kompani që merr transferta nga jashtë apo një familje që investon në pasuri të paluajtshme. Por kur këto transaksione bashkohen si copëza të një rebusi, ato prodhojnë një narrativë të një historie krej tjetër.
Depozitime të shpeshta në llogari personale, miliona euro që kalojnë përmes kompanive të sapokrijuara, prona të blera me çmime shumë të ulëta dhe të rishitura pak muaj më vonë për shuma disa herë më të larta, vila milionëshe të financuara nga juridiksione me lehtësi fiskale apo kompani që krijohen dhe zhduken brenda pak muajsh.
Këto janë disa nga modelet që dalin në pah nga analizimi i rasteve të dyshimta të referuara për investigim, marrë nga Raporti Vjetor i Agjencisë së Inteligjencës Financiare për vitin 2025 (AIF). Ato tregojnë se si paratë mund të lëvizin përmes kanaleve të ndryshme, duke u përpjekur të marrin një pamje të ligjshme përmes aktivitetit tregtar, investimeve apo levizjeve ping-pong mes llogarive bankare. Nga ana tjetër, niveli i sofistikimit të këtyre skemave flet edhe për brumin cilësor të punës analitike të AIF, e cila ka arritur t’i identifikojë, analizojë dhe strukturojë këto raste në tipologji të qarta të aktiviteteve të dyshimta.
Ping-pong me vlerë 1.9 milionë Euro mes llogarive bankare
Në një rast, një shtetas kishte depozituar rreth 300 mijë Euro në llogaritë e tij gjatë një periudhe dyvjeçare. Por kur u analizuan edhe llogaritë e nëntë personave të tjerë të lidhur me aktivitetin, shuma totale e fondeve të depozituara arrinte në rreth 1.9 milionë euro.
Disa prej këtyre personave kishin lidhje familjare. Paratë nuk qëndronin gjatë në llogari. Një pjesë e tyre transferohej në karta të parapaguara dhe përdorej për blerje online të produkteve të markave të luksit në vende të ndryshme.
Në llogari kishte hyrë gjithashtu shuma prej 350 mijë Euro, si rimbursim TVSH-je përmes kompanive “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”. Edhe këto para ishin përdorur për blerje.
Por problemi kryesor ishte një tjetër: personi në qendër të kësaj skeme kishte regjistruar një kompani me objekt “shitje veshjesh online”, ndërsa kompania kishte deklaruar zero të ardhura dhe ishte çregjistruar vetëm pak muaj më vonë.
Toka që blihet lirë dhe shitet për qindra mijëra euro
Pasuritë e paluajtshme janë një tjetër terren ku modelet e pazakonta financiare bëhen më të dukshme dhe përbën tanimë një tipologji klishe. Konkretisht, një shtetas kishte investuar në mënyrë të vazhdueshme në pasuri të paluajtshme nga viti 2021 deri në vitin 2025. Në total, bëhej fjalë për dhjetëra mijëra metra katrorë tokë në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kavajës.
Një pjesë e pronave ishte blerë me çmime relativisht të ulëta, që varionin nga 4 deri në 21 Euro për metër katror. Por dy transaksione të veçanta tërheqin veçanërisht vëmendjen. Një tokë prej 6,200 m² ishte blerë për vetëm 30 mijë Euro dhe, disa muaj më vonë, ishte shitur për 423 mijë euro. Një tjetër pronë prej 1,850 m², e blerë për 15 mijë Euro, ishte rishitur për 180 mijë Euro. Pra, në pak muaj, një pronë e blerë për një shumë relativisht të vogël kthehej në qindra mijëra euro. Ndërkohë, i njëjti person kishte krijuar edhe një kompani në sektorin e ndërtimit dhe gërmimit. Përmes saj ishin përfituar sipërfaqe të tjera të konsiderueshme toke, ndërsa aktiviteti financiar i kompanisë ishte rritur me shpejtësi. Këtu nuk është vetëm çmimi i pronës ai që ngre pikëpyetje. Është modeli: shumë prona, blerje me vlera të ulëta, rishitje të shpejta, kompani të lidhura dhe lëvizje fondesh ndërmjet individit dhe biznesit.
Një 18-vjeçare dhe një vilë 1.5 milionë Euro
Në vitin 2025, një shtetase vetëm 18 vjeç bleu një vilë në bregdet me vlerë 1.5 milionë Euro. Financimi erdhi nga motra e saj, e cila jetonte në një juridiksion me lehtësi fiskale. Fondet për blerjen kishin kaluar nga një llogari bankare në një shtet të Afrikës Jugore, i konsideruar me risk të shtuar për korrupsion dhe ekonomi informale. Por kjo nuk ishte e vetmja blerje.
Në të njëjtin vit, e motra bleu edhe një vilë tjetër në bregdet, me vlerë 1.7 milionë Euro, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit investoi rreth 700 mijë euro në vepra arti. Në dokumente, një pjesë e fondeve lidhej me dividendë të përfituar nga kompani që operonin në sektorin e lojërave online në juridiksione të huaja. Megjithatë, verifikimet ndërkombëtare sollën të dhëna të tjera: një prej kompanive ishte çregjistruar që në vitin 2023, ndërsa bashkëshorti i shtetases ishte lidhur me aktivitete të paligjshme të natyrës së krimit të organizuar. Në raste të tilla, problemi nuk është automatikisht fakti që paratë vijnë nga jashtë apo që investimi kryhet në pasuri të paluajtshme. Pyetja kryesore është sa e qartë dhe e verifikueshme është origjina e fondeve dhe sa përputhet ajo me aktivitetin ekonomik real të personave dhe kompanive të përfshira.
11 kompani, 3.7 milionë euro dhe një model i përbashkët
Në repertorin e rasteve rezulton edhe një praktikë më e sofistikuar: krijimin e një rrjeti kompanish që në dokumente janë subjekte të ndryshme, por në praktikë operonin si një e vetme. 11 kompani shqiptare kishin përfituar rreth 3.74 milionë Euro nga shtete të ndryshme të Evropës dhe Azisë. Të gjitha operonin në sektorin e marketingut online. Analiza tregoi se të njëjtët individë shfaqeshin në role të ndryshme: si administratorë, ortakë apo persona me të drejtë përfaqësimi. Veçoria tjetër e përbashkët ishte jetëgjatësia e tyre. Shumica ishin krijuar gjatë vitit 2024 dhe disa ishin çregjistruar vetëm gjashtë muaj më vonë. Në pamje të jashtme duken si 11 kompani normale. Në brendësi, një rrjet me persona, aktivitete dhe periudha operimi që përsëriteshin. Edhe kompanitë që dërgonin paratë nga jashtë shfaqën elemente të pazakonta. Disa kishin qarkullim shumë më të lartë se të ardhurat e deklaruara, disa përdornin llogaritë bankare vetëm si kanale tranzitore, ndërsa në raste të tjera fondet transferoheshin menjëherë drejt vendeve të tjera. Disa prej kompanive shqiptare u referuan më pas për investigim për dyshime lidhur me fshehjen e të ardhurave dhe mospagimin e taksave dhe tatimeve.
Kur një POS kthehet në kanal për miliona euro
Një nga rastet më të pazakonta përfshin përdorimin e terminaleve të pagesave me kartë (POS). Një kompani, e cila kishte si aktivitet kryesor tregtinë e mallrave, vendosi dy POS në fund të dhjetorit 2024. Menjëherë pas aktivizimit, terminalet u testuan me një kartë të lëshuar në Belgjikë. Vetëm dy ditë më vonë, përmes POS-it u kreditua llogaria e kompanisë me 96 mijë Euro, nga të cilat 83 mijë Euro u tërhoqën. Më 31 dhjetor u krye një tjetër transaksion prej 152 mijë Euro. Po atë ditë u tentua edhe një transaksion prej 790 mijë Euro, por u bllokua nga Mastercard.
Në total, transaksionet e kryera dhe ato të tentuara arrinin rreth 1 milion euro. Kompania i justifikoi fondet me fatura për shërbime të ofruara ndaj një kompanie belge: eskortë, makina me qira dhe makina VIP. Por edhe këtu kishte një problem: këto shërbime nuk përputheshin me aktivitetin që kompania kishte ushtruar ndër vite. Vetëm një muaj para transaksioneve, ajo kishte shtuar në objektin e saj aktivitetin e agjencisë turistike dhe të udhëtimeve. Rasti ngriti dyshime për një skemë të mundshme mashtrimi me kartat dhe për përdorimin e faturave për të justifikuar transaksione me një bazë ekonomike të paqartë.
Ajo që i bashkon të gjitha këto raste
Këto raste mund të jenë të ndryshme por emëruesi i përbashkët i tyre është elementi i mospërputhjes, e shpalosur në disa dimensione:
midis të ardhurave të deklaruara dhe parave që qarkullojnë; midis aktivitetit të kompanisë dhe shërbimeve që ajo faturon; midis moshës apo profilit ekonomik të personit dhe vlerës së investimit; midis çmimit të blerjes dhe çmimit të rishitjes së pronës;midis jetëgjatësisë së një kompanie dhe shumave që ajo qarkullon. Dhe, mbi të gjitha, midis asaj që tregon dokumenti dhe asaj që tregon gjurma financiare. Kjo është pikërisht arsyeja pse analizimi i rasteve të pastrimit të parave nuk mund të mbështetet vetëm te një transaksion i dyshimtë.
Është e lehtë të ngrihet gishti i kritikës ndaj bankave, noterëve, administratës tatimore apo institucioneve të tjera kur një rast i dyshimtë del në dritë. Në vështrim të parë, shumë prej sinjaleve mund të duken të qarta. Por sfida e vërtetë qëndron diku tjetër: një sinjal i vetëm, i parë nga një institucion i vetëm, nuk është domosdoshmërisht panorama e plotë.
Një depozitim i pazakontë mund të jetë i shpjegueshëm për bankën. Një kontratë shitblerjeje mund të jetë formalisht e rregullt për noterin. Një deklaratë tatimore mund të mos duket problematike për administratën tatimore. Një transaksion pronësie mund të jetë vetëm një nga qindra të dhëna që disponon një institucion publik. Por kur këto të dhëna bashkohen, mund të shfaqet një model që nuk është i dukshëm nga asnjë hallkë e vetme.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit. Nëse banka raporton një aktivitet të dyshimtë, por informacioni mbetet vetëm në kanalin bankar; nëse noteri sheh një seri transaksionesh të pazakonta, por nuk lidhet me të dhënat financiare; apo nëse administrata tatimore sheh mospërputhje mes aktivitetit të deklaruar dhe qarkullimit financiar, por këto sinjale nuk ndërthuren me informacionin e aktorëve të tjerë, secili institucion mund të shohë vetëm një pjesë të historisë.
Rastet e analizuara nga AIF tregojnë pikërisht nevojën për ta parë sistemin si një tërësi. Efektiviteti i luftës kundër pastrimit të parave nuk matet vetëm me numrin e raporteve të dyshimta, por edhe me aftësinë e aktorëve publikë dhe private për t’i lidhur këto raporte, të dhëna dhe sinjale me njëri-tjetrin.
