Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do t’i paguante çdo të rrituri amerikan një “dividend Trump” prej 5 mijë dollarësh, nëse republikanët ruajnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor.

“Nëse republikanët fitojnë, ju fitoni me ne dhe merrni 5 mijë dollarë”, tha Trump gjatë Konventës Kombëtare Republikane në Dallas, duke e quajtur pagesën e premtuar “Dividendi i Trump”.

Me rreth 270 milionë të rritur në Shtetet e Bashkuara, një pagesë e tillë do të kushtonte afërsisht 1.35 trilion dollarë. Për realizimin e saj do të nevojitej miratimi i Kongresit, ndërsa propozimi vjen në një kohë kur SHBA përballet me një deficit vjetor prej rreth 1.8 trilion dollarësh dhe shqetësime për inflacionin.

Trump i krahasoi pagesat me dividendët që kompanitë u shpërndajnë aksionarëve, duke iu referuar “forcës dhe suksesit tonë të jashtëzakonshëm ekonomik”.

Gjatë fjalimit të tij, i cili zgjati rreth një orë e 45 minuta, Trump deklaroi se kishte përfunduar “dy vitet më të mëdha në historinë e presidencës”, duke e vendosur veten në qendër të fushatës për zgjedhjet e mesit të mandatit.

Megjithatë, brenda një ore, zëvendëspresidenti J.D. Vance dukej se po përpiqej të sqaronte propozimin e Trump, duke sugjeruar se pagesat nuk do t’u shkonin amerikanëve më të pasur.

Vance tha gjithashtu se fondet mund të mbuloheshin nga të ardhurat e siguruara përmes tarifave amerikane. Megjithatë, kostoja e vlerësuar e një programi prej 5 mijë dollarësh për çdo të rritur do të ishte shumë më e lartë se shumat që SHBA ka mbledhur përmes tarifave.

Trump ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se partia e presidentit pothuajse gjithmonë humbet vende në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit.

“Ne do ta ndryshojmë këtë. Nuk ka asnjë arsye për këtë”, deklaroi presidenti amerikan.

Republikanët po përballen me një garë të vështirë për të ruajtur shumicën e tyre të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa edhe Senati, që më parë konsiderohej më i sigurt për republikanët, pritet të jetë i kontestuar.

Trump mbetet gjithashtu përballë pakënaqësisë së një pjese të elektoratit për rritjen e kostos së jetesës dhe luftën me Iranin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb