Kur një ish-zyrtar i lartë akuzohet për shpërdorim detyre, abuzim me tendera dhe përvetësim të miliona eurove, normalisht pret të gjesh në dosje kontrata, llogari bankare dhe prova financiare.

Por në Shqipëri, sipas asaj që del nga dosja e publikuar, historia ka një trajtë tjetër. Në qendër janë vilat luksoze, pishinat infinity, jacuzzi-t, teak-u dhe shqetësimi nëse prona duhet të ketë “feeling” si jaht.

Në një email të 14 shtatorit 2020, arkitekti Alban Eftimi i shkruan Belinda Ballukut për detajet e vilës në Palasë, për pishinën, suitat, vaskat hidromasazhuese, veshjen me teak dhe mënyrën se si përdoruesit do të ndiheshin “të llastuar njësoj si në hotel”. Teaku rreth pishinës duhej t’i jepte pronës “një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht”. Dhe për model merrej Roccabella në Santorini (në foto).

Pra, Santorini ishte frymëzimi, Roccabella ishte modeli, ndërsa Palasa duhej të bëhej versioni shqiptar: e njëjta pamje, i njëjti luks, i njëjti “feeling” me detin Jon përpara.

Në pamje të parë, mund të duken si detaje të zakonshme arkitekture. Por kur në të njëjtën histori shfaqet një zyrtare e lartë shteti dhe një vilë luksoze në bregdet, pyetja bëhet shumë më pak romantike se një “infinity vieë”: Kush e pagoi këtë luks dhe me ç’para?

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nëse dyshimet e SPAK-ut për shpërdorim detyre e përvetësim parash provohen, atëherë vila e Palasës nuk do të jetë thjesht historia e një prone luksoze. Do të jetë historia e një skeme ku tenderi publik ka prodhuar përfitim privat.

Kur në dosje dalin emaile për vilën, përshkrime të luksit, referenca konkrete arkitekturore dhe gjurmë që duhen hetuar për të kuptuar lidhjen mes pasurisë private dhe parave publike, a nuk është pikërisht ky momenti kur hetimi duhet të shkojë deri në fund?

Sepse Roccabella mund të jetë frymëzim. Teaku mund të jetë thjesht teak. Jacuzzi mund të jetë thjesht jacuzzi. Edhe “feeling-u pak si jaht” mund të jetë një zgjedhje arkitekturore. Por nëse pas gjithë këtij luksi fshihet paraja e tenderave publikë, atëherë nuk kemi më të bëjmë me arkitekturë. Kemi të bëjmë me prova që kërkojnë përgjigje.

Dhe nëse SPAK-u i ka këto prova përpara, pyetja është e thjeshtë: Çfarë tjetër po pret?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb