Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk është penduar për vendimin për të nisur luftën me Iranin dhe se, nëse do të përballej sërish me të njëjtën situatë, do të vepronte në të njëjtën mënyrë.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se do ta kishte ndërmarrë sulmin edhe nëse do ta dinte paraprakisht se konflikti mund të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Gjatë intervistës, gazetarja Laura Ingraham i tha presidentit amerikan se, pa luftën me Iranin, republikanët do të hynin në zgjedhje në një pozicion më të favorshëm. Trump u përgjigj se rreziku që Irani të pajisej me armë bërthamore ishte shumë më i madh sesa pasojat politike që mund të sillte konflikti.

“Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do të bëja pikërisht atë që bëra”, deklaroi Trump.

Ai argumentoi se një Iran me armë bërthamore do të përbënte kërcënim jo vetëm për Izraelin dhe vendet e Lindjes së Mesme, por edhe për qytetet amerikane.

Deklaratat vijnë në një kohë kur shqetësimet për kohëzgjatjen e konfliktit janë shtuar. Sipas një raporti të Wall Street Journal, këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë kanë diskutuar me Trump edhe mundësinë që lufta të zgjasë përtej mandatit të tij aktual presidencial.

Megjithatë, presidenti amerikan vijon të shprehet se konflikti do të përfundojë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, ose edhe më herët. Ai ka deklaruar gjithashtu se përfundimi i luftës do të sillte ulje të çmimeve të naftës dhe benzinës.

Në një intervistë tjetër për NewsNation, Trump mohoi raportet iraniane se një sulm ndaj një baze amerikane në Jordani kishte shkaktuar dëme në asetet ushtarake të SHBA-së.

“Asnjë dëm. Asgjë”, tha Trump, kur u pyet për pretendimet.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb