Kremlini ka paralajmëruar se Rusia mund të drejtojë armët e saj bërthamore drejt Lituanisë nëse vendi baltik, anëtar i NATO-s dhe fqinj i Rusisë, lejon vendosjen e armëve bërthamore të aleatëve në territorin e tij. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se vendosja e armëve bërthamore në Lituani do të sillte një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve.

“Nëse armët bërthamore vendosen në territorin lituanez dhe drejtohen kundër nesh, atëherë, në përputhje me rrethanat, territori i këtij vendi do të jetë në shënjestër të armëve tona bërthamore”, tha Peskov në një intervistë për televizionin shtetëror rus. Sipas tij, mbërritja e armëve bërthamore në Lituani do të përbënte “një pikë kthese shumë serioze në aspektin e përshkallëzimit të tensioneve”.

Deklaratat e Kremlinit vijnë në një kohë kur Lituania po shqyrton ndryshimin e një ndalimi kushtetues për ruajtjen e armëve bërthamore në territorin e saj. Nisma është paraqitur si një masë për forcimin e sigurisë së vendit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Amendamenti kushtetues po shqyrtohet nga Parlamenti lituanez dhe kërkon një shumicë prej dy të tretash për t’u miratuar. Nisma ka marrë mbështetjen e presidentit Gitanas Nausėda dhe të partive kryesore politike, ndërsa pritet të mund të hyjë në fuqi gjatë këtij dimri.

Në fillim të korrikut, Nausėda deklaroi se Lituania dëshironte t’i bashkohej mekanizmit të parandalimit bërthamor të Perëndimit ndaj Moskës, duke lënë të hapur mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore në territorin lituanez.

Megjithatë, zyrtarët lituanezë kanë deklaruar vazhdimisht se nuk ka aktualisht plane për të vendosur apo strehuar armë bërthamore në territorin e vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: