Një tren pasagjerësh që udhëtonte në linjën Rouen–Caen ka dalë nga shinat mbrëmjen e sotme pranë komunave Cléon dhe Tourville-la-Rivière, në Francë.
Sipas një bilanci paraprak të raportuar nga mediat franceze, të paktën 40 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë. Në tren ndodheshin rreth 180 pasagjerë, bëri të ditur ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot. Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje u mobilizuan forca të shumta të emergjencës dhe ekipe shpëtimi për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve dhe të plagosurve.
Një nga pasagjerët, 15-vjeçari Hilario Imper, përshkroi momentet dramatike të aksidentit për mediat franceze. Ai tha se ndodhej në një nga vagonët e trenit kur gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. “Papritmas ndjeva dridhje shumë të forta. Treni u përplas dhe doli nga shinat”, tregoi 15-vjeçari. Më pas, situata u përkeqësua.
“Dritaret u thyen. Një vagon para nesh doli nga shinat dhe u përmbys. Ne e kaluam atë, ndërsa vagoni ynë ishte ende në shina”, rrëfeu ai.
Pas aksidentit, kompania franceze e hekurudhave SNCF njoftoi ndërprerjen e shërbimeve hekurudhore mes Rouen dhe Caen, si dhe të linjës Caen–Le Havre. Shkaqet e aksidentit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta që çuan në daljen e trenit nga shinat.
