Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes platformës X për përplasjen mbi pagat e magjistratëve, duke akuzuar Gjykatën Administrative se po kërkon jo vetëm rritjen e menjëhershme të pagave, por edhe pagesën e diferencave që nga prilli i vitit 2023.

Rama shprehet se vendimmarrja e Gjykatës Administrative për sigurimin e padisë është një rast i pazakontë, pasi, sipas tij, nuk synon ndalimin e një akti, por detyrimin për kryerjen e tij. Ai pretendon se gjyqtarët kërkojnë një rritje prej 51% të pagave, si dhe pagesat e prapambetura që nga prilli 2023.

Në reagimin e tij, kryeministri i referohet edhe një tabele të publikuar bashkëngjitur postimit, ku paraqiten pagat aktuale dhe nivelet e kërkuara për magjistratët. Sipas të dhënave të bëra publike, paga bruto e gjyqtarëve të shkallës së parë do të kalonte nga 336,600 në 508,200 lekë, ndërsa për magjistratët e SPAK dhe GJKKO kërkesa shkon nga 613,224 në 925,848 lekë.

“Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative”, shkruan Rama, duke shtuar se kjo gjykatë, sipas tij, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51%, por edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023.

Rama ngre gjithashtu pyetjen se sa do të përfitonte secili gjyqtar nëse këto shuma do të paguheshin menjëherë dhe akuzon ministrin e Financave se, nëse do ta zbatonte këtë vendimmarrje pa ndërhyrjen e Kuvendit, do të vepronte në kundërshtim me ligjin.

Reagimi:

Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.

Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb