Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e vlerësimit për punën e kryer ndër vite vijojnë të mbeten një plagë e hapur për moshën e tretë në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, ish-minatori dhe pensionisti Fatmir Gashi foli mbi realitetin me të cilin përballen sot ish-punonjësit e nëntokës dhe pensionistët në tërësi.
Gashi tregoi se për të dhe shumë të tjerë, koncepti i pushimeve është kthyer në një luks të pamundur prej vitesh. “Nuk kam bërë pushime këtë vit. Ka shumë vite që nuk mundem, janë faktorë mundësitë financiare por edhe shëndeti që nuk më lejojnë të ndjek pushimet,” u shpreh ai.
Më tej, ish-minatori shprehu keqardhjen e tij për mënyrën se si pushteti dhe organet shtetërore e trajtojnë sot këtë kategori, duke bërë një krahasim me të kaluarën. “Vlerësimi i ish-minatorëve është për t’u ankuar.
Ka qenë një trajtim krejt tjetër në krahasim me sot dhe sidomos si shihet nga organet, nga qeveria. Éshtë për të vënë kujën, fatkeqësi të shohësh përfundime të tilla. E kemi harruar fjalën lumturi,” përfundoi Gashi gjatë fjalës së tij.
