Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se një koalicion mes partive të reja politike dhe përfaqësuesve të protestës mund të fitojë zgjedhjet në Tiranë.
Në një prononcim, Shehaj tha se kjo mundësi mbështetet në sondazhe të rregullta, ndërsa kujtoi se edhe vitin e kaluar kishte propozuar një kandidaturë apolitike për Bashkinë e Tiranës, të mbështetur nga partitë e reja.
“Këto janë nga survejime të rregullta, sondazhe të rregullta. Ne kemi bërë propozimin edhe vitin e kaluar për Bashkinë e Tiranës, të nxjerrim një kandidaturë apolitike. Ajo formulë praktikisht nuk funksionoi, sepse nuk u bënë zgjedhjet, por vlen dhe sot. Kemi një faktor të ri, që janë protestuesit dhe protesta, dhe bëhet thirrje për ndryshim të klasës politike”, u shpreh Shehaj.
Ai theksoi se është e nevojshme të pritet edhe krijimi i një përfaqësie nga studentët, në mënyrë që partitë të kenë një palë me të cilën mund të zhvillojnë bisedime për bashkëpunimin e mundshëm.
Shehaj bëri dallimin mes propozimit të mëparshëm për një kandidat të mbështetur nga e gjithë opozita dhe skenarit aktual, ku kandidati do të mbështetej nga partitë e reja dhe protestuesit.
“Nëse isha i bindur se në zgjedhjet e kaluara një kandidat i mbështetur nga gjithë opozita fitonte, sot them se një kandidat i mbështetur vetëm nga partitë e reja dhe protestuesit ka gjasa të fitojë. Nga ana jonë e kemi thënë që jemi të hapur për bashkëpunim. Kur të duan, jemi të gatshëm”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.j
