Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë më pjesë në seancat e Kuvendit deri në nxjerrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Përmes një deklarate për mediat, PDK akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se ka bllokuar procesin e konstituimit të legjislaturës së re, duke shkelur afatet kushtetuese dhe duke vendosur vazhdimisht kushte të reja politike për përmbylljen e procesit.
Sipas PDK-së, Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit 30-ditor deri më 7 gusht, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO124/25, ndërsa edhe afati i dytë i vendosur nga LVV më 6 shtator nuk u respektua. PDK sqaroi se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit me qëllim përmbylljen e legjislaturës, ku respektoi premtimin dhe votoi kandidatin e LVV-së për nënkryetar, por kjo e fundit refuzoi të votonte kandidaten e PDK-së për të njëjtën pozitë, duke e kushtëzuar më pas procesin me zgjedhjen e Presidentit.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike,” thuhet në deklaratën e partisë opozitare. PDK njofton se ekspertët e saj ligjorë kanë nisur tashmë përgatitjen e lëndës që do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar qartësi mbi të gjithë procesin, duke nënvizuar se pazaret politike duhet të ndalen dhe se tashmë fjalën duhet ta thotë interpretimi kushtetues.
