Meksika po përballet me një fenomen shqetësues, ku personazhe të njohur të rrjeteve sociale po bëhen gjithnjë e më shumë objektiv i sulmeve të dhunshme. Të paktën 20 influencerë dhe krijues përmbajtjesh janë vrarë gjatë dy viteve të fundit, ndërsa në disa raste ekzekutimet kanë ndodhur edhe gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta në rrjetet sociale.

Viktima më e fundit është José Luis Esparza, 37 vjeç, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “El Putirrí”. Ai u ekzekutua brenda një restoranti në Ciudad Obregón, në shtetin verior të Sonorës.

Autoritetet meksikane po hetojnë nëse vrasja mund të ketë lidhje me marrëdhëniet e një të afërmi të Esparzas me një kartel droge. Sipas konsulentit të komunikimeve të sigurisë, Ivan Moyle, influencuesi mund të ketë qenë një “objektiv anësor”, me vrasjen që mund të ketë shërbyer edhe si mesazh për persona të tjerë.

Një tjetër rast që ka tronditur opinionin publik është ai i Cesar Castellum, i cili kishte më shumë se 600 mijë ndjekës në TikTok. Ai u qëllua për vdekje më 4 gusht, ndërsa po transmetonte drejtpërdrejt pranë një restoranti të KFC-së në Culiacán, në shtetin e Sinaloas.

Castellum publikonte përmbajtje që dyshohej se favorizonin fraksionin “Los Mayos” të kartelit Sinaloa. Për vrasjen e tij u arrestua José Alberto “El Dron” Hidalgo, i cili sipas autoriteteve u tha hetuesve se Castellum ishte shënjestruar pasi kishte provokuar “Los Chapitos”, grupin e drejtuar nga djemtë e bosit të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán.

Një tjetër rast i bujshëm ishte vrasja e Valeria Márquez, e cila po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok nga salloni i saj i bukurisë në Zapopan më 13 maj 2025.

Një person i armatosur hyri në ambient dhe e qëlloi tre herë nga afër, ndërsa transmetimi ishte ende aktiv.

Në lidhje me këtë ngjarje janë hedhur dyshime ndaj Ramón Álvarez, një drejtues rajonal i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s, si dhe djalit të tij, ish-partnerit të Márquez. Akuzat për organizimin e vrasjes janë mohuar nga djali i Álvarez.

Analistët e sigurisë thonë se arsyet e sulmeve ndaj personazheve të rrjeteve sociale janë të ndryshme. Sipas analistit meksikan David Saucedo, disa influencerë mund të kenë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me grupet kriminale, duke shërbyer në aktivitete të tilla si pastrimi i parave ose si fasadë për aktivitetet e tyre.

Por në shënjestër mund të përfundojnë edhe influencerë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kartelet. Ata mund të publikojnë informacione mbi ngjarjet në qytetet apo shtetet ku jetojnë dhe, në këtë mënyrë, të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen grupet kriminale.

Sipas Saucedos, kartelet synojnë të kontrollojnë informacionin që qarkullon për aktivitetet e tyre, kundërshtarët dhe autoritetet. Kjo ka bërë që edhe krijuesit e përmbajtjeve, ndonëse nuk janë gazetarë, të shndërrohen në objektiv të mundshëm të grupeve të krimit të organizuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb