Deputetja e pavarur, e cila braktisi PS-në gjatë protestave Marjana Koçeku, e ftuar në emisionin Minuta e parë në News24 komentoi aktualitetin politik.

Duke u ndalur tek akuzat e bëra nga ana e ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj, Koçeku tha se duhet që të ketë ndëshkim të qeveritarëve, kur ata kapen duke bërë korrupsion. Sipas saj, kultura e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund.

“Revolta vjen nga pandëshkueshmëria. Ka ardhur koha që pandëshkueshmëria ligjore të mbarojë njëherë e mirë, që të gjithë para ligjit të jenë të barabartë, edhe në përditshmëri, jo veç ne teori. Duhet të kemi besim tek drejtësia dhe drejtësia duhet të shpërblejë besimin e shoqërisë shqiptare. Shqiptarët presin edhe më shumë nga SPAK. Sytë e shqiptarëve janë nga drejtësia”, tha Koçeku.

E pyetur nëse do të votojë pro ngritjes së Komisionit Hetimor për çështjen e KAYO-s, deklaroi se do të japë votën e saj për çdo nismë që e kërkon Europa.

“Çdo kërkesë që vjen nga Komisioni Europian prek të gjithë pjesët e jetës sonë. Unë do mbështes çdo projekt që e mbështet dhe Europa, sepse Brukseli e ka meritokracinë dhe këtu duhet të nisnin nismat emancipuese për një shtet. Do nxis reagimin qytetar edhe më tej”, u shpreh ajo.

Në lidhje me sekuestrimin e vilës së Belinda Ballukut në Palasë, Koçeku vlerësoi se mbrojtja politike duhet të përfundojë njëherë e mirë për çdo akt korruptiv, kushdo që e bën atë.

“Unë besoj se tek pandëshkueshmëria politike lind çdo gjë. Shteti duhet ta edukojë shoqërinë dhe jo e kundërta. Unë shpresoj që të ikë koha, që njerëz të caktuar të jenë mbi ligjin. Me nisjen e sesionit të ri, në parlament duhet të ketë sa më tepër debate për problematikat qytetare”, nënvizoi Koçeku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb