Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke e falënderuar për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe për mënyrën se si e përballoi procesin.

Përmes një reagimi, Osmani ka vlerësuar qëndrimin e Sejdiut gjatë një procesi ku, sipas saj, çështjet personale shpesh u vendosën mbi ato institucionale.

“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova humbi një mundësi jo vetëm për të zgjedhur presidentin, por edhe për të dëshmuar se mund të ndërtojë konsensus rreth figurave me dije, integritet dhe dinjitet.

“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, është shprehur ajo.

Sipas Osmanit, politika, fushatat dhe zgjedhjet janë të përkohshme, ndërsa mënyra se si një person sillet në momente të vështira mbetet e rëndësishme.

“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka theksuar se edhe një përpjekje politike që nuk përfundon me sukses mund të lërë pas një dëshmi të rëndësishme të karakterit.

“Dhe ndonjëherë, edhe kur një përpjekje politike nuk përfundon me sukses, ajo lë pas diçka më të rëndësishme: një dëshmi të karakterit”, ka shkruar Osmani.

Në fund, ajo e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për qëndrimin e tij gjatë gjithë procesit.

“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb