Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull të gjerë procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, aktgjykimi për të cilin pritet të shpallet të mërkurën në Hagë.

Reuters e konsideron vendimin një moment me rëndësi të veçantë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, ndërsa në vend po shtohet vëmendja dhe pritshmëria për vendimin e gjykatës.

“Në qytete të ndryshme të Kosovës janë vendosur ekrane të mëdha ku shfaqet numërimi mbrapsht deri në shpalljen e aktgjykimit, i cili pritet të nisë në orën 10:00 në Hagë. Të shtunën, mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së”, raporton Reuters.

Sipas agjencisë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka kundërshtuar akuzat për vrasje, torturë dhe krime të tjera, duke i cilësuar ato të pabazuara. Avokatët kanë argumentuar se procesi gjyqësor përbën një përpjekje për të “rishkruar” historinë e luftës së Kosovës.

Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se nuk ekzistojnë prova që e lidhin drejtpërdrejt Thaçin me krimet e pretenduara dhe se nuk është dëshmuar se ai kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të UÇK-së.

Artikulli i Reuters pasqyron edhe pritshmëritë dhe emocionet në Kosovë për vendimin e gjykatës.

“Për ne, Hashim Thaçi është hero i Kosovës, luftëtar i lirisë. Ai duhet të kthehet në Kosovë”, ka deklaruar për Reuters Mentor Plakaj, banor i Prishtinës.

Thaçi ka shërbyer si president i Kosovës nga viti 2016 deri në vitin 2020. Para kësaj, ai ishte kryeministër i vendit nga viti 2008 deri në vitin 2014.

Duke folur për rëndësinë e aktgjykimit, Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Qendrën për Evropën të Këshillit Atlantik, e ka cilësuar atë si një “ngjarje tektonike”.

Aktgjykimi në Hagë pritet të jetë një moment i rëndësishëm për Kosovën, ndërsa vendimi i gjykatës do të ndiqet me vëmendje të madhe edhe për shkak të ndikimit që mund të ketë në debatin politik dhe shoqëror në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: