Një 74-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike në São Paulo të Brazilit, pasi u shtyp nga një strukturë betoni që u shemb papritur nga fasada e një ndërtese. Ngjarja ndodhi të dielën, më 14 shtator, rreth orës 10:00 të mëngjesit, në lagjen Guaianases, në pjesën lindore të qytetit.

Momenti tragjik është regjistruar nga një kamera sigurie. Në pamje, 74-vjeçari shihet duke ecur në trotuar përpara një dyqani të mbyllur, ndërsa pranë tij ndodhej edhe një grua.

Papritur, një markezë/balkon betoni u shkëput nga ndërtesa dhe u shemb mbi burrin, i cili nuk pati kohë të reagonte. Ai mbeti i bllokuar nën rrënoja, ndërsa gruaja që ndodhej pranë tij arriti të shpëtonte në momentin e fundit. Ajo kërkoi menjëherë ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit. 74-vjeçari u nxor nga rrënojat dhe u transportua me urgjencë në spital.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i moshuari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda të shkaktuara nga shembja dhe ndërroi jetë. Ngjarja është nën hetim për të përcaktuar shkaqet e shembjes së strukturës së betonit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: