Një operacion i gjerë i autoriteteve belge ka çuar në goditjen e një grupi shqiptar të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në total janë arrestuar tetë persona, ndërsa për katër prej tyre është vendosur masa e arrestit shtëpiak. Mes të ndaluarve ndodhet edhe shqiptari Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur me nofkën “Gjenerali”. Hetimi i policisë belge kishte nisur rreth një vit më parë, pasi autoritetet morën informacion se një apartament në zonën e Berchemit, në Antwerp, mund të përdorej për ruajtjen e sasive të mëdha të kokainës.
Në qendër të hetimeve ishte një 48-vjeçar, i cili dyshohet se luante rolin e ndërmjetësit mes grupeve kriminale shqiptare dhe rrjeteve të Amerikës Latine. Sipas hetuesve belgë, ai koordinonte aktivitetet që lidheshin me transportin e kokainës, nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antwerp-it dhe më pas shpërndarjen e tyre.
Autoritetet dyshojnë se 48-vjeçari siguronte edhe persona që ndihmonin në realizimin e trafikut, përfshirë punonjës sigurie, ndërsa drejtonte grupet përgjegjëse për marrjen e ngarkesave të drogës nga porti. Në kuadër të këtij hetimi, policia kishte arritur më herët të sekuestronte dy ngarkesa kokaine, me peshë përkatësisht 46 dhe 53 kilogramë. Kontrollet e fundit u zhvilluan në disa zona të Antwerp-it, përfshirë Berchem, Deurne e Kapellen, si dhe në zona të ndryshme të Brukselit. Gjatë kontrolleve u gjetën armë dhe municione të fshehura, jelekë antiplumb, pajisje për bllokimin e sinjalit, shuma parash cash dhe makineri për numërimin e tyre.
Në listën e sendeve të sekuestruara kishte gjithashtu pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara, si dhe presa e kallëpe që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e blloqeve të kokainës.
Mes të arrestuarve është edhe Gerd Gjinarari, 52 vjeç, i njohur si “Gjenerali”. Emri i tij ishte bërë i njohur për autoritetet belge edhe disa muaj më parë, pasi në qershor u arrestua nga ekipi FAST i Policisë Federale. Në atë rast, Gjinarari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një vrasje të kryer në vitin 1997. Ende nuk dihen rrethanat se si ai u lirua pas arrestimit të parë.
Tashmë, disa muaj më vonë, shqiptari është vënë sërish në pranga, këtë herë në kuadër të hetimit belg për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Sipas autoriteteve italiane, “Gjenerali” dyshohet se në vitin 1997 vrau një rival në një spital në Milano. Sipas akuzave, ai përdori një pistoletë të fshehur në një buqetë me lule. Pas arrestimit të tij në qershor, procedurat për ekstradimin drejt Italisë ishin ende në proces. Ndërkohë, Gjinarari tashmë përballet edhe me hetimin e ri në Belgjikë për dyshimet mbi trafikun e kokainës.
