Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se Kanadaja do të vijojë të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht përshkallëzimit të luftës tregtare mes dy vendeve.
Duke folur në një konferencë ndërkombëtare për investitorët në Toronto, Carney iu drejtua edhe partnerëve amerikanë, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve të përbashkëta mes dy vendeve.
“Lejomëni t’u them këtë miqve tanë amerikanë: ne do të jemi gjithmonë fqinjët tuaj dhe Kanadaja do të mbetet partneri më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në shumë fusha kyçe”, tha ai.
Carney theksoi se Kanadaja është e gatshme të forcojë më tej bashkëpunimin me Uashingtonin, veçanërisht në çështjet ekonomike dhe të sigurisë.
“Do të jemi një partnere edhe më e mirë, e gatshme të avancojë interesat tona ekonomike dhe sigurinë e përbashkët”, u shpreh kryeministri kanadez, duke shtuar se negociatat e ardhshme duhet të bazohen në respektin për traditat dhe sovranitetin kombëtar të të dy vendeve.
“Në fund të fundit, edhe në kohë mosmarrëveshjesh, gjatë gjithë historisë sonë të gjatë dhe të përbashkët, ne gjithmonë kemi ruajtur një marrëdhënie të ngushtë”, shtoi Carney.
Përplasja tregtare mes Kanadasë dhe SHBA-së është përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit. Kanadaja përfundoi më 21 gusht negociatat me Shtëpinë e Bardhë, duke akuzuar administratën amerikane se po përpiqej të impononte një marrëveshje tregtare që e konsideronte të padrejtë.
Në kundërpërgjigje të tarifave amerikane të vendosura në fund të gushtit, Kanadaja vendosi tarifa të reja ndaj një sërë produktesh amerikane.
Ndërkohë, Uashingtoni ka reaguar duke rritur në 50% tarifat për produktet kanadeze dhe ka paralajmëruar ndalimin e importeve të disa prej tyre duke nisur nga 29 shtatori.
