Shqiptarët janë mbledhur në Hagë, aty ku pritet të nisë në orën 10:00 vendimi për 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lugina është me ju! Presim drejtësi!”, janë shprehur ata.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili ndodhet në Hagë  tha se çdo vendim tjetër përveç lirues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin nuk është drejtësi e mirëfilltë.

“Ne kemi ardh në mbështetje dhe përcjellje të procesit gjyqësor, ku pritet të merret sot vendimi. Kemi emocione sepse këtu është vendimi për të drejtën tonë, për lirinë tonë dhe UCK-në. Presim që bashkëluftëtarët tanë drejtësia të jep fjalën për lirimin e tyre. Çdo drejtësi tjetër është politike dhe si politik është e papërshtatshme për neve dhe e padrejtë”, tha ai.

Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë publike, me transmetim në shqip, anglisht dhe serbisht. Vendimi pritet me interes të jashtëzakonshëm në Kosovë, ndërsa në Prishtinë janë bërë përgatitje që qytetarët ta ndjekin atë drejtpërdrejt në një ekran të madh. Edhe në Hagë pritet prani e shqiptarëve të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe, pas dëshmive të qindra dëshmitarëve, mijëra dokumenteve dhe përballjes mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, sot çështja mbërrin në momentin e saj vendimtar në shkallën e parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb