Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur optimizmin e tij pak orë para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në një prononcim për RTK nga Haga, ku ka udhëtuar për të ndjekur nga afër seancën, Gucati tha se pret një vendim pozitiv për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Sipas tij, akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk janë mbështetur në fakte dhe argumente.
“Pritjet e mia janë të mëdha, besoj se sot do të gëzohemi të gjithë me këtë qytetarë edhe me juve që jeni këtu. Besoj se verdikti do të jetë në anën tonë, duke pasur parasysh që s’kanë pasur fakte e argumente”, deklaroi Gucati.
Ai kritikoi gjithashtu punën e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se në proces janë përdorur materiale të siguruara nga Serbia dhe Rusia. Gucati tha se shpreson që prania e madhe e shqiptarëve nga Kosova në Hagë dhe mbështetja e tyre të merren në konsideratë.
“Nëse s’është gjykatë politike, veç nëse është gjykatë që do drejtësi, duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve, zërin e një kombi”, u shpreh ai.
Gucati shtoi se populli shqiptar ka treguar mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkoi që vendimi të mos ketë prapavijë politike.
“Unë besoj se kjo gjykatë duhet të jetë e drejtë, jo politike”, tha ai.
Ish-kreu i veteranëve konfirmoi se do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit për të ndjekur drejtpërdrejt shpalljen e aktgjykimit.
