Pak minuta para shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në Hagë, Gani Thaçi, vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka folur nga Buroja, vendlindja e familjes Thaçi.
Ai deklaroi se familja e ish-presidentit vijon të besojë te pafajësia e katër ish-krerëve të UÇK-së, si dhe te karakteri i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Besimi në luftën e pastër të UÇK-së, besimi në Zotin edhe drejtësinë e drejtë”, u shpreh Gani Thaçi.
Sipas tij, pjesëtarë të familjes së Hashim Thaçit ndodhen në Hagë për të pritur nga afër vendimin e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, nëna e ish-presidentit ka qëndruar në Burojë, ku pret lajmin për djalin e saj dhe tre ish-bashkëluftëtarët e tij.
“Është në shtëpi, por është pak e lodhur”, tha Gani Thaçi për gjendjen e nënës së Hashim Thaçit.
