Kosova dhe kudo ka shqiptarë, mbajnë sot frymën. Teksa ka nisur seanca në Hagë ku do të jepet vendimi për 4 ish-drejtues të UÇK-së, familja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka hapur dyert.
E veshur në fasadë me flamuj kombëtarë, atë kuq e zi dhe të Kosovës, të UÇK-së, të SHBA-ve dhe të BE, familja e Thaçit ka pritur sot miq e familjarë, të cilët mes ankthit presin për vendimin e Hagës.
Në Hagë sot pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave është mbyllur më 18 dhjetor 2025. Në këtë proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, ndërsa në proces marrin pjesë 156 viktima.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, ndërsa të katër janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave. Të katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
