Mediat e mëdha ndërkombëtare po i kushtojnë vëmendje shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Associated Press dhe Reuters janë ndër mediat që raportojnë për procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe për atmosferën e krijuar në Kosovë në pritje të vendimit, transmeton KosovaPress.
Associated Press shkruan se katër ish-krerët e UÇK-së konsiderohen gjerësisht heronj kombëtarë në Kosovë, ndërsa përmend edhe mbështetjen publike që ata kanë marrë para shpalljes së aktgjykimit.
AP shkruan sesi portretet e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit janë vendosur në shumë pjesë të Prishtinës, krahas një ore të madhe digjitale që ka numëruar mbrapsht kohën deri në shpalljen e vendimit.
Kjo agjenci ndërkombëtare kujton edhe tubimin e mbajtur të shtunën në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në mbështetje të katër të akuzuarve.
Vëmendje të madhe procesit po i kushton edhe Reuters, që raporton se aktgjykimi do të ndiqet nga afër në Kosovë dhe Serbi, ndërsa kujton se trashëgimia e luftës së viteve 1998 dhe një mijë e 1999 vazhdon të ndikojë në raportet ndërmjet dy vendeve.
Reuters shkruan se Thaçi vazhdon të shihet si figurë e rëndësishme nga shumë shqiptarë të Kosovës, ndërsa procesi në Dhomat e Specializuara ka ngjallur kundërshtime të mëdha në Kosovë.
Agjencia raporton gjithashtu se prokurorët kanë kërkuar dënime deri në 45 vjet burgim për Thaçin dhe tre bashkëluftëtarët e tij, ndërsa të katër kanë mohuar akuzat. Mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen me pretendimin për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përndjekje, vrasje dhe torturë. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, ndërsa katërshja ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Aktgjykimi i shkallës së parë po shpallet këtë të mërkurë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe po ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë dhe jashtë saj. /Kosovapress/
