Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në momentin e shpalljes së vendimit, Thaçi ka buzëqeshur.

Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë proces, Thaçi përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë: përndjekje, burgosje, veprime ç’njerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.

Hashim Thaçi ishte një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës dhe më pas një nga figurat kryesore të politikës së Kosovës.

Gjatë luftës, ai u bë i njohur si përfaqësues politik i UÇK-së, ndërsa ishte pjesë edhe e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.
Lexo po ashtuI panjohuri i hyn në shtëpi dhe ia merr me dhunë paratë nga xhepiPas përfundimit të luftës, Thaçi ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai drejtoi PDK-në për shumë vite dhe mbajti disa nga postet më të larta shtetërore.
Thaçi u bë kryeministër në vitin 2008, në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt. Ai qëndroi në krye të Qeverisë deri në vitin 2014, ndërsa më pas shërbeu si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Në vitin 2016, Thaçi u zgjodh president i Kosovës. Këtë detyrë e mbajti deri më 5 nëntor 2020, kur dha dorëheqje pasi Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan aktakuzën ndaj tij.
Pas dorëheqjes, Thaçi u transferua në Hagë, ku që nga nëntori i vitit 2020 ka qëndruar në paraburgim gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb