Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar se lufta çlirimtare mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës.

“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani në reagimin e saj.

Ajo ka përmendur viktimat e luftës në Kosovë, duke thënë se mbi 13 mijë persona u vranë gjatë konfliktit, rreth 10 mijë prej tyre civilë, ndërsa më shumë se 1,500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

Osmani ka renditur gjithashtu rastet e dhunës seksuale, torturave, vrasjes së fëmijëve dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës. Ajo ka kritikuar Serbinë për mohimin e këtyre krimeve dhe për, siç shprehet, mungesën e drejtësisë për viktimat.

Sipas ish-presidentes, populli i Kosovës u ngrit përballë këtyre krimeve, ndërsa UÇK-në e ka cilësuar si “ushtrinë e popullit të Kosovës”.

“Sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Osmani, duke e përmbyllur reagimin me një referencë për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës si amanet të përbashkët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb