Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar një strategji të re evropiane të sigurisë dhe krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë, gjatë fjalimit të saj vjetor për Gjendjen e Unionit.
Sipas saj, Bashkimi Evropian do ta hartojë strategjinë e re në bashkëpunim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Synimi është që institucionet dhe proceset vendimmarrëse evropiane të përshtaten me realitetin e ri të kërcënimeve ndaj sigurisë.
Von der Leyen tha se Evropa po përballet me shtim të sulmeve kibernetike, sabotimeve, zjarrvënieve dhe shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronët, duke theksuar nevojën për rritjen e gatishmërisë së vendeve anëtare.
Ajo njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të paraqesë propozime për krijimin e Këshillit Evropian të Sigurisë. Në këtë strukturë parashikohet të përfshihen edhe partnerë si Kanadaja, Norvegjia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar, me synimin për të koordinuar reagimin ndaj kërcënimeve në rritje.
Duke iu drejtuar kryeministrit kanadez Mark Carney, von der Leyen deklaroi se BE-ja dëshiron t’i çojë marrëdhëniet me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm. Ajo tha se synohet krijimi i kushteve që Kanadaja të bëhet vendi i parë me status të asociuar me BE-në dhe që të dyja palët të ndërtojnë një hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike.
Një tjetër propozim i von der Leyen ishte krijimi i një mekanizmi evropian për reagimin ndaj kërcënimeve hibride, të ngjashëm me Nenin 4 të Traktatit të NATO-s. Ajo e cilësoi atë si një “Nen 4 evropian” ose “Protokoll të Sigurisë Emergjente”.
Sipas propozimit, në rast se një shtet anëtar aktivizon mekanizmin, vendet e BE-së do të mblidhen për të koordinuar një përgjigje të përbashkët. Qëllimi do të jetë parandalimi i përshkallëzimit të situatës dhe kufizimi i pasojave të një sulmi.
Në fushën e mbrojtjes, presidentja e Komisionit njoftoi edhe krijimin e një Instrumenti Evropian për Kapacitetet Strategjike, i cili, sipas saj, do të jetë plotësisht i harmonizuar me NATO-n.
Instrumenti synon forcimin e kapaciteteve strategjike evropiane në fusha të tilla si mbrojtja ajrore dhe kundër raketave, transporti strategjik, furnizimi i avionëve në ajër, hapësira dhe mbrojtja kibernetike.
“Evropa do të mbrojë çdo metër katror të territorit të saj”, deklaroi Ursula von der Leyen.
