Ushtria ruse ka pësuar një humbje të rëndësishme në luftën në Ukrainë, pas vdekjes së Gjeneral Major Anton Feliksovich Grunysh, një prej komandantëve të saj të angazhuar në front.

Sipas autoriteteve ukrainase, Grunysh, 46 vjeç, u vra më 12 shtator gjatë një sulmi me dron pranë Kintrativka, në rajonin e Donetskut.

Komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, Robert Brovdy, ka deklaruar se forcat ukrainase ishin përgjegjëse për sulmin. Rusia më pas ka konfirmuar vdekjen e gjeneralit, por nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi rrethanat në të cilat ai humbi jetën.

Grunysh, me origjinë nga Tatarstani, kishte një karrierë të gjatë në ushtrinë ruse. Ai kishte shërbyer në Luftën e Dytë Çeçene, në luftën Rusi-Gjeorgji të vitit 2008, në operacionet ruse gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014, si dhe në Siri.

Pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Grunysh u angazhua në operacionet ushtarake ruse në Ukrainë.

Lajmi për vdekjen e tij u publikua fillimisht në një kanal ushtarak rus në Telegram, “Vëllazëria Suvorov”, ku u publikua një nekrologji për Grunysh, i cili kishte qenë i diplomuar në Shkollën Ushtarake Kazan Suvorov.

Media shtetërore ruse e kishte portretizuar Grunysh si një komandant të suksesshëm në front, ndërsa vdekja e tij përbën një humbje të rëndësishme për strukturat komanduese ruse.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb