Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në një konferencë për mediat, Vuçiç tha se për Serbinë prioritet mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit.

“Për Serbinë është me rëndësi vendimtare ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Për vendin tonë nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, deklaroi ai.

Duke komentuar aktgjykimin, presidenti serb pretendoi se trupi gjykues nuk ka konstatuar sulme sistematike ndaj popullsisë civile dhe se disa prej akuzave të ngritura gjatë procesit nuk janë përfshirë në vendim.

Vuçiç tha gjithashtu se gjykata ka rrëzuar gjashtë pikat që lidhen me krimet kundër njerëzimit dhe kritikoi faktin që, sipas tij, në aktgjykim nuk janë trajtuar krimet e kryera ndaj serbëve pas 20 qershorit 1999.

Ai përmendi edhe çështjen e njohur si “Shtëpia e Verdhë”, duke pretenduar se përgjegjësia për këtë rast nuk është trajtuar në aktgjykim.

“Është bërë shumë padrejtësi, por as ne të gjithë së bashku nuk kemi qenë mjaftueshëm të gatshëm të përballemi me krimet që janë kryer në emrin tonë”, tha Vuçiç.

Megjithatë, ai theksoi se e ardhmja duhet të ndërtohet përmes dialogut dhe mirëkuptimit.

“Zgjidhja për të ardhmen qëndron te biseda, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu me të gjithë”, u shpreh presidenti serb.

Vuçiç e cilësoi aktgjykimin si një vendim të shkallës së parë dhe foli gjithashtu për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se mekanizmi u krijua nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare.

Në fund, ai përsëriti se Serbia do të vazhdojë t’i japë përparësi ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: