Një prej protestuesve në tubimin pranw Kuvendit ka adresuar akuza dhe kritika të forta ndaj qeverisë, duke kërkuar ndër të tjera që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.
“Duam pensione dinjitoze për gjyshërit tanë. Duam të hyjmë në Europë, por me Ramën premtimet janë bosh, sepse Edi Rama është mashtrues. Duam që shëndetësia të mos shitet, por është copë-copë.

Po na vdesin të afërmit kur shkojnë në spital. A nuk keni turp dhe fytyrë?”, u shpreh ai.

Protestuesi tha se tubimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, por shtoi se pjesëmarrësit nuk kanë frikë nga përballja me institucionet.

“Ne po protestojmë në mënyrë paqësore, por kjo nuk do të thotë që nuk e dimë gjuhën e dhunës. Nuk ua kemi frikën sepse jemi në të drejtën e Zotit”, deklaroi ai.

Më tej, ai ngriti pikëpyetje për institucionet e drejtësisë dhe kërkoi zbatimin e të njëjtit standard për të gjithë, duke iu referuar edhe çështjes së Belinda Ballukut.

“Ku është SPAK-u dhe Kushtetuta? Belinda Balluku as nuk është dënuar. Duam që ligji të jetë një për të gjithë”, tha protestuesi.

Në vijim, ai ngriti edhe pyetje lidhur me fondet e përdorura për tunelin e Llogarasë, duke kërkuar transparencë për mënyrën se si janë shpenzuar paratë publike.
“Ku shkuan milionat e tunelit të Llogarasë? Ligji duhet të veprojë njëlloj për të gjithë”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb