Akuza të forta janë hedhur në Kuvend nga nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi lidhur me audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj për biznesmenin Ron Yeffet dhe çështjen e trafikut ndërkombëtar të armëve.
Nga foltorja e Kuvendit, Këlliçi pretendoi se në këtë skemë janë të përfshirë kryeministri Edi Rama, biznesmeni Ron Yeffet dhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, të cilin opozita e quan “Ermal Raketa”.
Sipas Këlliçit, përgjimet dhe deklaratat kontradiktore mbi prodhimin dhe eksportin e armëve nga zyrtarët e qeverisë ngrenë pikëpyetje të forta që, sipas tij, kërkojnë hetim të plotë.
Belind Këlliçi:
Ermal Rraketa Ministri i Mbrojtjes, po bën çdo gjë për të mbrojtur mikun izraelit të Edi Ramës, Ron Yeffet, i cili thotë se qeveria bën trafik ndërkombëtar armësh. Nuk ka se si ta konfirmojë më mirë njeriun e punëve të pisëta, se sa duke heshtur, duke mos kthyer përgjigje pas shumë shkresave zyrtare. Dhe po ashtu, në këtë linjë është e gjithë mazhoranca që rrëzoi sot kërkesën e PD për hetim parlamentar për këtë skandal të pandodhur në 35 vite.
Ermal Rraketa në foltoren e Kuvendit, në muajin prill, e pohoi se këtu prodhohen armë dhe dërgohen në vende në konflikt, jo patenta fiktive.
Tani që u mor vesh se si prodhohen këto armë, që siç tha Ron Yeffet, në fakt ato paketohen këtu pasi vijnë nga Afrika, Ermal Raketa hesht, dhe Edi Rama urdhëron ndalimin e hetimit parlamentar. Ministri hesht, edhe pse zëvendësja e tij Blerina Abrazhda, 1 javë më parë mohoi deklaratat e eprorit të saj dhe e nxorri trafikant dhe mashtrues publik Nufin, para gjithë qytetarëve shqiptarë.
Këto akte tregojnë përfshirjen kokë e këmbë të Edi Ramës, Ron Yeffet dhe Ermal Rraketës, në krim të rëndë, atë të trafikut ndërkombëtar të armëve.
