Gazetari Ermal Peçi, i ftuar në News24 komentoi fjalën e kryeministrit Edi Rama sot më 5 nëntor, ku kryeministri ndër të tjera komentoi edhe progres-raportin e KE-së për Shqipërinë.
Peçi theksoi se Rama me anë të masave që ka ndërmarrë, po përpiqet që të trembë qytetarët dhe studentët, por se nuk do ia dalë dot. Shtoi se korrupsioni po ha bijtë e vet dhe se kjo është duke ndodhur edhe në Partinë Socialiste.
“Rama përdor një metodologji komunikimi, sepse ndihet i frikësuar nga protestat. Ndihet i frikësuar, sepse duket nga masat që ka marrë. Ai po mundohet të japë kërbaç në darkë dhe jep lule në mëngjes. Po përpiqet që të trembë qytetarët, por ne kemi parë protesta, ku ka pjesëmarrje të madhe qytetare. Edi Rama nuk jep përgjigje për problemet reale që na shqetësojnë.
Korrupsioni po ha bijtë e vet dhe kjo po ndodh në PS, që është kthyer në një parti, ku shumë kanë dalë të korruptuar. Korrupsioni qeveritar është i frikshëm. Ndërkombëtarët janë duke folur dhe e kuptojnë se gjërat do të shkojnë mirë, nëse funksionon drejtësia. Mos të presim që të vijnë ndërkombëtarët e të flasin me gjuhë të hekurt”, tha Peçi.
Më tej, Peçi nënvizoi se Kuvendi ka qenë ai që ka ngritur 83 vota kundër, duke mbrojtur kësisoj korrupsionin e ish-zv kryeministres Belinda Balluku. Peçi deklaroi se sot mbreti është lakuriq para ndërkombëtarëve.
“Verdikti i madh që na është dhënë nga BE, është fakti që kryeministri Rama na thotë se ne po hyjmë në Bashkimin Europian, e përdor si kartë politike dhe ne jemi realisht shumë larg Europës. Parlamenti e sulmon nga mëngjesi në darkë SPAK-un, Kuvendi ka ngritur 83 kartonë për të mbrojtur korrupsionin. Sot mbreti është lakuriq para ndërkombëtarëve. Ne i duhemi BE-së për arsye gjeopolitike se jemi shumë larg standardeve. Uroj që të jem gabim, por nuk e shikoj Shqipërinë në Bashkimin Europian më 2029. Janë disa kritere që duhen plotësuar dhe ne jemi shumë larg”, vlerësoi Peçi.
