Një pretendim i ri mbi reagimin e Princit Charles pas vdekjes së Princeshës Diana në vitin 1997 ka shkaktuar polemika në Britani. Earl Spencer, vëllai i Dianës, shkruan në kujtimet e tij se Charles, gjatë një telefonate me të pas lajmit tragjik, i ishte dukur “i tërbuar nga gëzimi”, duke e krahasuar pamjen e tij me atë të një “fituesi llotarie”.

Sipas Spencer, ai mori disa telefonata pas aksidentit fatal të 31 gushtit 1997, ndërsa mes tyre ishte edhe një telefonatë nga Princi Charles. Në librin e tij, ai përshkruan një kontrast të fortë mes mënyrës se si flisnin njerëzit e tjerë, të cilët sipas tij ishin të shkatërruar, dhe tonit që ai pretendon se dëgjoi nga Charles.

Spencer shkruan gjithashtu se Charles i tregoi se kishte njoftuar djemtë e tij, Princin William dhe Princin Harry, për vdekjen e nënës së tyre në orët e para të mëngjesit, në Balmoral.

Pallati i Buckinghamit ka reaguar ndaj publikimit të fragmenteve të librit, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si janë kujtuar ngjarjet pas kaq shumë vitesh.

Një zëdhënës i Pallatit tha se, megjithëse familja mbretërore nuk komenton në parim për libra të tillë, humbja e një vëllai ose motre mund të ndikojë në mënyrën se si kujtohen dhe interpretohen ngjarjet.

Reagimi erdhi pasi në disa prej fragmenteve të publikuara pretendohet gjithashtu se Charles kishte thënë për Dianën: “Do ta harrojmë shumë shpejt.”

Dickie Arbiter, ish-sekretar i shtypit i Mbretëreshës Elizabeth II në kohën e vdekjes së Dianës, i ka hedhur poshtë pretendimet. Ai tha se Charles ishte “i shkatërruar” në atë periudhë dhe e cilësoi të pabesueshëm përshkrimin se ai mund të ishte dukur i gëzuar pas lajmit për vdekjen e ish-bashkëshortes.

Në kujtimet e tij, Earl Spencer ndalet edhe te martesa e Dianës me Charles, e cila përfundoi me divorc në gusht të vitit 1996.

Ai pretendon se një mik i Dianës i kishte treguar se, përpara martesës së tyre në vitin 1981, Charles i kishte thënë asaj se ishte shumë i lumtur që do të martohej me të, por se nuk ishte vërtet i dashuruar.

Spencer shkruan se marrëdhënia u bë shumë e vështirë që në fillim dhe se të dy bashkëshortët, sipas tij, në momente të caktuara ishin të dëshpëruar nga njëri-tjetri.

Ai shpreh gjithashtu bindjen e tij se Diana mund të kishte pasur ADHD dhe e lidh këtë me atë që përshkruan si “disfori e ndjeshme ndaj refuzimit”. Në libër ai shkruan se motra e tij kishte menduar më shumë se një herë t’i jepte fund jetës, por dashuria për William dhe Harry e kishte penguar të ndërmerrte një hap të tillë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Princit Harry kanë bërë të ditur se nuk dëshirojnë të komentojnë mbi librin. Polemikat rreth kujtimeve të Earl Spencer vijnë në një periudhë kur familja mbretërore vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike, me Charles, William dhe Harry që kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme publike këtë javë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb