Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se ka goditur gjatë natës një anije cisternë me flamur të Togos, e cila, sipas Teheranit, po tentonte të kalonte “në mënyrë të paligjshme” përmes Ngushticës së Hormuzit.
Krahu detar i Gardës Revolucionare pretendon se pas goditjes në anije shpërtheu zjarr dhe se cisterna mbeti e bllokuar. Sipas deklaratës iraniane, anija kishte tentuar të kalonte ngushticën pasi ishte “nxitur dhe mashtruar” nga ushtria amerikane.
Autoritetet iraniane kanë përsëritur se vazhdojnë të kontrollojnë këtë rrugë detare strategjike dhe kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë kalimin e anijeve që, sipas tyre, shkelin kufizimet e vendosura nga Teherani.
“Kalimi i paligjshëm nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk do të ketë asnjë rezultat tjetër përveç shkatërrimit të anijes që shkeli rregullin”, thuhet në deklaratën e publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve IRNA.
Incidenti vjen në një kohë tensionesh të larta në një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të energjisë.
Të enjten në mbrëmje, Zyra e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) raportoi një incident sigurie në Ngushticën e Hormuzit, rreth 16 milje detare në verilindje të Khasabit, në Oman.
UKMTO nuk dha detaje të tjera mbi incidentin dhe nuk konfirmoi nëse anija e përmendur nga autoritetet iraniane ishte e njëjta anije e përfshirë në ngjarjen e raportuar.
