Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “WEB page”, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara pranë institucioneve arsimore, me qëllim parandalimin e përfshirjes së nxënësve në fenomene kriminale.

Gjatë kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë kanë zbuluar dy lokale në afërsi të shkollave, ku zhvillohej në mënyrë të paligjshme aktiviteti i basteve sportive përmes celularëve.

Për këto raste janë arrestuar në flagrancë shtetasit D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç, ndërsa ka nisur procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, si dhe për një 17-vjeçar.

Sipas Policisë, në njërin prej lokaleve, i administruar nga 48-vjeçari K. Ç., u kap në flagrancë 24-vjeçari D. Gj., duke vendosur baste sportive. Në të njëjtin subjekt ndodhej edhe 54-vjeçari I. M., i cili dyshohet se ishte i përfshirë në këtë veprimtari.

Ndërkohë, në lokalin tjetër u konstatua një 17-vjeçar, i punësuar në këtë subjekt, i cili kryente aktivitetin e vënies së basteve sportive.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 celularë, në të cilët ishin aktive faqe për vendosjen e basteve sportive.

Policia bën me dije se kontrollet dhe monitorimi i zonave përreth shkollave do të vijojnë, në kuadër të planit të posaçëm të masave për garantimin e sigurisë së nxënësve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb