Regjisori dhe artisti i pavarur Leonard Bombaj ka zhvilluar një forum të hapur me titull “Ringu i Transparencës”, pas një letre të hapur drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Kulturës.
Nisma synon të hapë një debat publik mes komunitetit artistik, qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, në një përpjekje për të diskutuar problematikat që, sipas Bombajt, kanë shoqëruar marrëdhënien mes individit dhe administratës.
Në fokus të forumit ishte edhe një kronologji 10-vjeçare, të cilën Bombaj e cilëson si “Asimetria qytetar-administratë”, ndërsa ndër objektivat e tij rendit thyerjen e frikës së shprehjes, nxitjen e individit për të iniciuar debat publik dhe informimin e audiencës. Një prej momenteve më të forta të forumit ishte gjesti performativ i realizuar nga Bombaj në përfundim të aktivitetit. Artisti u zhvesh simbolikisht, duke e kthyer trupin në një metaforë të intelektualit dhe qytetarit përballë administratës, të zhveshur nga çdo mburojë institucionale.
Performanca kishte edhe një referencë të drejtpërdrejtë simbolike ndaj stilit të kryeministrit Edi Rama, përmes mënyrës së zhveshjes dhe atletëve të bardha të mbajtura nga Bombaj. Gjestit artistik iu dha kështu një tjetër shtresë kuptimore, mes simbolikës së pushtetit, qytetarit dhe përballjes me administratën. Sipas Bombajt, performanca pati një reagim të fortë emocional nga të pranishmit, deri në përlotje.
Një tjetër mesazh i forumit lidhet me dezinformimin, të cilin artisti e sheh të përballueshëm vetëm përmes së vërtetës dhe transparencës. Në përfundim, përmes performancës së tij, Bombaj solli në mënyrë figurative edhe idenë e përballjes së individit me atë që ai e quan “pushteti i algoritmeve”, duke e lënë publikun përballë një gjesti që kërkon të provokojë reflektim për marrëdhënien mes qytetarit dhe pushtetit administrativ.
Bombaj ka deklaruar se vendimi për organizimin e forumit erdhi pas një sërë mesazhesh dhe diskutimesh me kolegë, si dhe pas mbështetjes së stafit të News 24 dhe Qendrës Artistike “Agimi”. “Ringu i Transparencës” synon të shërbejë si një hapësirë ku arti, qytetari dhe institucionet përballen përmes dialogut publik, por edhe përmes gjuhës së performancës artistike.
