Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu i ftuar në emisionin Minuta e parë në News24 ka komentuar dënimin me 81 vite burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Mediu thekson se me këtë vendim, është dëmtuar rëndë Kosova.

Sipas tij, vendimi është politik, me influencë të dukshme serbe.

Mediu theksoi se edhe përfaqësues amerikanë kanë thënë se shteti shqiptar është zhdukur dhe se tashmë një njeri pyetet për gjithçka, duke nënkuptuar kryeministrin. Sipas tij, Rama duke mos ditur fare se çfarë dëshironte Gjykata Speciale, imponoi liderët e Kosovës se çfarë të bënin.

Për të, kryeministri Rama bën vetëm propagandë dhe nuk ka veprime, që të jenë me sfond kombëtarist.

Fatmir Mediu: Kjo gjykatë ka shkelur shumë elementë. Është një vendim i dëmshëm. Është dënim që është shumë më tepër se për ish-krerët e UÇK-së. Dënimi dëmton Kosovën, sepse u dënua lufta më e ndritshme shqiptare në Ballkan, kundër krimeve serbe. Influenca ruse e lidhur me Serbinë është një problematikë e madhe në rajon.

Është një vendim politik, i ndikuar nga Serbia. Narrativa e Serbisë ndaj Kosovës është njësoj si ajo e Rusisë në Ukrainë. Është e tmerrshme, që ata kryen gjenocid në Kosovë janë dënuar më pak sesa ish-krerët e UÇK-së. Ne kemi një raport të veçantë me SHBA-të, por duket se këto marrëdhënie nuk janë të qëndrueshme. Duket se Serbia ka avancuar në raportet me Amerikën. Vëllazëria me Vuçiçin dhe shmangia e raporteve me shqiptarët në Kosovë e në RMV është e rëndë.

Është për të ardhur keq, që kemi një kryeministër që bën fjalime patriotike, por se nuk ka veprimet e duhura për të mbrojtur shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Rama pa ditur asgjë për Gjykatën Speciale, shkoi dhe iu imponua liderëve të Kosovës. Sa i përket hapave të Kuvendit të Shqipërisë, është një gabim i madh që nuk u miratua gjenocidi serb. Rama bën agjenda personale dhe nuk lë institucionet që të veprojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: