Një përplasje e fortë është shënuar në Kuvend mes deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë diskutimit për projektligjin mbi pagat e magjistratëve, Kapri akuzoi Ramën se paraqitja e tij në Parlament lidhet me “hallin e drejtësisë” dhe jo me çështjen e pagave.
Deputeti deklaroi se kryeministri ka marrë pjesë vetëm pesë herë në seancat parlamentare gjatë një viti dhe se, sipas tij, mbrojtja e ministres Belinda Balluku është pjesë e një beteje më të gjerë të Ramës me sistemin e drejtësisë.
Në replikë, Rama iu përgjigj Kaprit me një sulm personal, duke e cilësuar “ballist” dhe duke deklaruar se “ju ballistët do kujtoheni si shfarosës mizorë pulash”.
Erald Kapri: Po shikoja për kuriozitet procesverbalet e Parlamentit dhe pashë në 1 vit që kemi si Parlament, kryeministri ka ardhur vetëm 5 herë gjithsej. Dhe në këto 5 herë gjithsej që ka ardhur, ka ardhur se gjithmonë ka pasur një hall. Edhe sot ka ardhur në Parlament se ka një hall. Ne nuk jemi naivë të mendojmë se këtu po diskutojmë një projektligj për pagat e magjistratëve, se duhet ta kenë 5, 7 apo 9 milionë lekë. Sa kohë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, kjo çështje duhet të merrte fund. Por sa kohë që kjo sfidohet, sigurisht që këtu nuk bëhet më fjalë për respektim të shtetit ligjor, por bëhet fjalë për një hall tjetër që ka kryeministri që sigurisht që është halli me drejtësinë. Nuk ka të bëjë kjo çështje me pagat e gjyqtarëve.
Kjo është një çështje, një sfidë dhe një luftë që tashmë kryeministri e ka me sistemin e drejtësisë. Sepse në qoftë se nuk do të kishte problem kryeministri me drejtësinë, të jeni të sigurt se do të ishte i gatshëm t’ua dyfishonte pagat. Por problemi është që pikërisht gjyqtarët e prokurorët, sidomos ata të GJKKO dhe SPAK kanë guxuar pak si tepër. Dhe kanë shkuar shumë lart. Dhe atyre duhet t’u tregojmë vijën e kuqe. Duhet t’u tregojmë që përtej paradhomës së kryeministrit, nuk mund të shkojnë tek zyra e tij.
Dhe pavarësisht kësaj beteje që nis prej më shumë se 1 viti, kryeministri e ka kthyer në mision tashmë pikërisht për të mbrojtur veten e vet. Sepse nga dardhat dhe mollët që hanin pas shpine dhe nga premtimi që çdokush që merr një akuzë nuk do të ketë mbrojtjen e qeverisë dhe të PS, sot po i merrni në mbrojtje të gjithë. Më saktë po merrni në mbrojtje veten tuaj. Sot edhe pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë nuk keni as guximin minimal t’i kërkoni dorëheqjen Erion Veliajt.
Nuk e keni fare, ju që shqetësoheni se Bashkia e Tiranës është marrë peng. Është marrë peng nga burgu dhe ju nuk keni guximin t’i kërkoni dorëheqje. Ju nuk keni edhe guximin të kërkoni edhe që zonja Balluku të lërë mandatin dhe të heqë dorë nga imuniteti. Nuk e bëni në fakt sepse nuk është betejë për zonjën Balluku, është betejë për veten tuaj. Ky është halli juaj. Dhe kaq i madh është ky hall në fakt sa kur erdhët sot në mënyrë të beftë në këtë seancë, mendova fillimisht se ndoshta keni ardhur për të folur për ç’ka ndodhi dje në Hagë. Shqiptarët kanë pritur shumë përgjigje sot për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dhe ju dini shumë dhe keni bërë shumë, apo jo? Por halli juaj është aq i madh sa edhe për këtë çështje nuk mund të flisni.
Në fakt ke edhe një hall tjetër sepse prej 110 ditësh shqiptarët protestojnë çdo ditë përpara zyrës suaj zoti kryeministër, çdo ditë. Dhe pavarësisht se ke bërë gjithçka, veçanërisht nën rrogoz për ta shkatërruar këtë protestë, edhe me dhunë policore duke shoqëruar qindra të rinj, sërish nuk ia ke dalë, i ke aty prapë. Nuk i ke mundur dot. Sepse e keni parë se nuk është thjesht një protestë, por është një protestë që realisht, realisht, u ka nxjerrë bojën. Nuk mbeti media ndërkombëtare e madhe dhe e vogël që të mos flasë për protestën e të rinjve në Tiranë dhe të thotë që ajo protestë është kundër kryeministrit më jetëgjatë në Europën kontinentale, kundër një autokrati ballkanik që sundon një nga popujt më të varfër e të korruptuar të Europës.
Kjo është trashëgimia juaj zoti kryeministër. Ju nuk do të njiheni as si themelues i reformës në drejtësi, por përkundrazi keni marrë kazmën për të qenë varrmihësi i drejtësisë sepse keni hallin tuaj. Se nuk do të jeni ju që do të anëtarësoni Shqipërinë në BE, do ta anëtarësojnë shqiptarët, sepse ju, do të keni hesape për të larë, për keqqeverisjen e këtyre 14 viteve. Dhe sot halli juaj nuk është më halli i shqiptarëve.
Shqiptarët duan largimin tuaj një orë e më parë sepse sa për historinë, u duhen vetëm shumë pak, shumë pak të thyeni edhe rekordin e Ahmet Zogut në pushtet dhe vetëm Enver Hoxha do të mbetet në krye për t’ja thyer atë rekord. Ndaj zoti kryeministër t’i lëmë hipokrizitë, kjo nuk është çështje pagash, kjo është një luftë e hapur që ju keni me sistemin e drejtësisë dhe besoj që fundin e dimë të gjithë.
Edi Rama: Për të dashurin ballist kam vetëm një fjalë për ty. Nuk e di se si do të kujtohem unë në histori, por që ju ballistët do kujtoheni si shfarosës mizorë pulash kjo është vulosur në shekuj të shekujve.
