Në pritje të nisjes së vitit të ri akademik, vijon të shtohet interesi i maturantëve për të studiuar tek Universiteti “Luarasi”.

Pedagogu Ilirjan Margjeka, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, tha se ende ka disa kuota të hapura. Ai u ndal veçanërisht te Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, ku ofrohen programe në teknologjinë e informacionit, inovacion dhe Inteligjencën Artificiale. Sipas pedagogut Margjeka, teknologjia dhe veçanërisht Inteligjenca Artificiale janë fusha që po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në tregun e punës.

Ai theksoi se bizneset kanë nevojë për profesionistë të fushës së teknologjisë, ndërsa studentët me rezultate të mira mund të kenë edhe mundësi punësimi në distancë për kompani jashtë vendit. Margjeka nënvizoi se për të pasur sukses në këto fusha kërkohet angazhim dhe seriozitet në studime.

Pedagogu bëri të ditur gjithashtu se Universiteti “Luarasi” ka partneritet me “London School of Economics”, duke krijuar mundësi për eksperienca dhe punësim edhe jashtë vendit. Ai tha se interesi i studentëve vijon të jetë i lartë dhe se universiteti synon të tërheqë studentë me rezultate të mira edhe në raundin e dytë.

Ilirjan Margjeka, pedagog tek Luarasi: Kemi akoma pak kuota të hapura për studime. Në Universitetin tonë kemi Fakultetin e Teknologjisë dhe Inovacionit. Inovacioni ka të bëjë me AI dhe me koncepte të reja nga fusha e teknologjisë. Ne kemi dy programe bachelor, kemi studime për Bahcelor dhe ofrojmë dhe degë studimi në Master. Në teknologji informacioni e inovacioni ofrojmë disa fusha studimesh.

Kemi edhe studim për Inteligjencën Artificiale. Kemi parë sesi po implimentohet Inteligjenca Artificiale në kohët e sotme. Teknologjinë sot e kemi kudo, sidomos teknologjinë softuerike. AI është një realitet. Kudo sot edhe në biznese të vogla e të mëdha, ka nevojë për njerëz që janë profesionistë në teknologji. Me studimet për teknologjinë, vendi i punës është i sigurt. Ata që janë edhe më të mirë si studentë, mund të bëjnë dhe punë nga shtëpia, duke punuar për kompani të huaja. Nuk janë gjëra që mësohen lehtë, duhet të punosh. Studenti që e merr seriozisht studimin, ai ka prioritet.

Universiteti Luarasi ka partneritet me London School of Economic. Ne ofrojmë mundësi të mëdha për punësim, sikundër edhe për të marrë eksperiencat më të mira nga jashtë vendit. Interesi vazhdon që të jetë i lartë, ne duam të zgjedhim studentë të mirë. Shpresojmë që të kemi studentë sa më të mirë dhe në raundin e dytë të regjistrimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb